Last Updated on 09/09/2026 by Monika
Oslo i dha lamtumirën e fundit Mbretit Harald V, në një ceremoni madhështore ku morën pjesë dhjetëra anëtarë të familjeve mbretërore, krerë shtetesh dhe personalitete nga e gjithë bota.
Mijëra qytetarë u rreshtuan përgjatë rrugës nga Pallati Mbretëror drejt Katedrales së Oslos, ku u zhvillua ceremonia mortore për monarkun norvegjez, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas 35 vitesh në fron.
Arkivoli i mbretit u shoqërua në këmbë nga pasardhësi i tij, Mbreti Haakon VIII, motra e tij, si dhe fëmijët e Haakonit.
Në ceremoni morën pjesë rreth 30 përfaqësues të familjeve mbretërore nga vende të ndryshme, mes tyre Suedia, Danimarka, Belgjika, Spanja, Jordania, Monako dhe Japonia. I pranishëm ishte edhe Princi William, i cili përfaqësoi babain e tij, Mbretin Charles III.
Krahas familjeve mbretërore, në Oslo mbërritën edhe krerë shtetesh dhe qeverish, mes tyre Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidenti gjerman, si dhe disa kryeministra të huaj.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre e përshkroi Haraldin si një mbret që arriti të ruante ekuilibrin mes solemnitetit të fronit dhe thjeshtësisë në marrëdhënien me qytetarët, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë 35 viteve në krye të vendit.
Pas ceremonisë, arkivoli i Mbretit Harald u transportua drejt Kapelës së Pallatit, ku u zhvillua një ceremoni private me pjesëmarrjen e familjes mbretërore dhe të ftuarve.
Harald V u varros pranë anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore norvegjeze.
Me përfundimin e varrimit, flamujt norvegjezë në Oslo u ngritën nga gjysmë shtize në majë, duke shënuar fundin e periudhës së zisë kombëtare.
Më pas, familja mbretërore u shfaq në ballkonin e Pallatit Mbretëror për të falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre. Mbreti i ri Haakon, Mbretëresha Mette-Marit, Mbretëresha Sonja dhe fëmijët e çiftit përshëndetën dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në shesh.
Në përfundim të ceremonisë, katër avionë luftarakë F-35 fluturuan mbi Katedralen e Oslos në formacionin simbolik “Missing Man”, në nderim të Mbretit Harald V.
Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili iu bashkua krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja në homazhet për monarkun norvegjez./mxh
