Last Updated on 09/09/2026 by Anisa
Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të mërkurë në ditën e saj të 102-të ndërsa si çdo pasdite, pas orës 19:00, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, ” Rama në burg, Berisha në burg”, etj.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë ku po vijojnë me thirrjet kundër qeverisë dhe me fjalime.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale. Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në njërin krah të Unazës.
Ndërkohë, disa prej protestuesve të tjerë kanë vijuar me itinerarin e tyre, duke mbajtur fjalime përpara Kryeministrisë, ku fokusin e kishin te videoja e përplasjes së një dite të parë mes tubuesve dhe deputetes Iris Luarasi.
Ndërkohë, ata paralajmëruan dhe një protestë kombëtare me prezencën e diasporës më 12 shtator./ad
