Brad Pitt duket krejt i transformuar në trailerin e ri të filmit “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, ku rikthehet në rolin e personazhit Cliff Booth nga filmi “Once Upon a Time in Hollywood”. Aktori 62-vjeçar shfaqet me flokë të gjatë, biondë dhe të çrregullt, si dhe me një palë mustaqe të trasha në stilin e viteve ’70.

Me sa duket, Cliff Booth është rikthyer dhe këtë herë po e përqafon plotësisht pamjen e asaj periudhe. Fansat kishin parë më herët ndryshimin e flokëve të Pitt në disa fotografi nga xhirimet, të realizuara në korrik, ku aktori shfaqej me të njëjtin model flokësh të gjatë dhe biondë.

Në filmin e ri, Pitt rikthehet si kaskaderi Cliff Booth, personazhi që luajti në filmin e Quentin Tarantino-s të vitit 2019, Once Upon a Time in Hollywood. Në atë film, Cliff kishte flokë disi më të shkurtër dhe nuk kishte mustaqe, ndërsa pamja e re është dukshëm më e lidhur me stilin e viteve ’70.

Projekti u bë më në fund realitet pasi Pitt gjeti një regjisor të ri për filmin, David Fincher. Aktori ka treguar se Tarantino i dha bekimin për vazhdimin e historisë së personazhit. Pitt rrëfeu se ia dorëzoi skenarin Fincherit gjatë një udhëtimi me avion dhe, para se të mbërrinin në destinacion, regjisori i kishte thënë se donte ta realizonte filmin.
Pitt ka thënë më parë se ndihet i lidhur me personazhin Cliff Booth. “Në këtë pikë të jetës sime, më tërhoqi shumë”, është shprehur ai për rolin.
Ndryshimi i pamjes së Pitt vjen vetëm pak ditë pasi aktori u shfaq për të promovuar një tjetër film të ardhshëm, “Heart of the Beast”. Në tapetin e kuq, ai zgjodhi një veshje me motive kamuflazhi, këmishë jeshile ulliri, këpucë kafe dhe syze.
Gjatë asaj daljeje publike, Pitt tregoi edhe flokët e tij të vërtetë, të cilët aktualisht janë në një nuancë kafe të çelët dhe vetëm disa centimetra të gjatë./k.m
