Last Updated on 02/03/2025 by adminfjala
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka nisur një vizitë zyrtare në Marok, ku u prit nga homologu i tij, Nasser Bourita. Ky takim, i cili shënoi 63-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar dhe forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh në fusha kyçe, duke përfshirë politikën, ekonominë dhe kulturën.
Gjatë diskutimeve, dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Marokut dhe riafirmuan angazhimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor. Shqipëria vlerësoi reformat e thella që Maroku ka ndërmarrë nën udhëheqjen e Mbretit Mohammed VI, si dhe përpjekjet për zhvillim politik, ekonomik dhe shoqëror, veçanërisht në kuadër të Modelit të Ri të Zhvillimit të Marokut.

Gjatë takimit u nënshkrua Deklarata e Përbashkët, e cila riafirmoi rolin e Marokut si një pol stabiliteti dhe zhvillimi në Afrikë. Deklarata vuri gjithashtu në dukje rëndësinë strategjike të Saharasë Perëndimore dhe rajonit të Sahelit, duke theksuar nevojën për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik si faktorë kyç për stabilitetin rajonal dhe global./ S,M