Të gjithë duam të kthehemi nga pushimet në një shtëpi të pastër dhe të rregullt. Por kur valixhet duhen bërë në minutën e fundit, pastrimi i gjithë shtëpisë është ndoshta gjëja e fundit që ju shkon në mendje.
Megjithatë, ka disa punë të vogla që ia vlen t’i bëni patjetër para se të largoheni. Mjaftojnë 20–30 minuta për të shmangur erërat e këqija, insektet dhe rrëmujën që mund t’ju presë në kthim.
Këto janë shtatë gjërat që nuk duhet t’i lini pas dore.
1. Rrobat dhe çarçafët
Mund të kërkojë pak planifikim, por larja e rrobave një natë para nisjes është një nga gjërat më të vlefshme që mund të bëni.
Me gjithë rrobat e pastra, do ta keni më të lehtë të zgjidhni çfarë të merrni me vete, pa u shqetësuar për ato që kanë mbetur në koshin e rrobave.
Nëse keni kohë, lani edhe çarçafët. Pas një dite të gjatë udhëtimi, kthimi në një shtrat me çarçafë të sapolarë do të jetë shumë më i këndshëm.
2. Pajisjet/ Enët që mbajnë ujë
Para se të largoheni, zbrazni pajisjet e vogla që mbajnë ujë, si aparati i kafesë, lagështuesi i ajrit apo aparati i akullit.
Uji i lënë për një kohë të gjatë mund të marrë erë të ndenjur, të krijojë shtresa të rrëshqitshme dhe madje të lërë depozitime gëlqerore. Kjo do të thotë një punë më shumë për t’u marrë me të kur të ktheheni.
3. Frutat dhe ushqimet në frigorifer
Mos prisni ditën e nisjes për të kontrolluar ushqimet që prishen. Disa ditë para pushimeve, filloni të konsumoni ato që nuk do të zgjasin deri në kthimin tuaj.
Para se të dilni nga shtëpia, kontrolloni frigoriferin dhe hiqni gjithçka që mund të prishet. Nëse do të mungoni për disa ditë, kontrolloni veçanërisht ushqimet e mbetura, frutat e pyllit, perimet me gjethe, produktet e qumështit dhe frutat e pjekura.
Nëse është e mundur, jepjani një miku ose fqinji. Në të kundërt, hidhini ose përdorini për kompostim.
4. Enët
Lajini me dorë enët e pista ose vendosini në lavastovilje.
Sa më gjatë të qëndrojnë enët me mbetje ushqimore, aq më e vështirë bëhet pastrimi i tyre. Për më tepër, mbetjet e ushqimit mund të tërheqin buburreca dhe insekte të tjera.
Edhe enët e lëna brenda lavastoviljes mund të marrin erë të pakëndshme dhe madje të krijojnë myk.
5. Thërrimet e ushqimit
Ndoshta nuk keni kohë të pastroni me fshesë të gjithë shtëpinë para nisjes, por të paktën kushtojuni pak minuta thërrimeve të dukshme të ushqimit.
Fshini banakët dhe më pas pastroni vendet ku zakonisht grumbullohen ushqime, si poshtë tavolinës së ngrënies, pranë koshit të plehrave apo rreth vendit ku ushqehet kafsha juaj.
Heqja e këtyre burimeve të lehta ushqimi e bën shtëpinë më pak tërheqëse për milingonat, buburrecat dhe dëmtues të tjerë.
6. Tasat e kafshëve dhe kutia e rërës
Nëse keni qen ose mace, lajini tasat e ushqimit dhe ujit për të hequr çdo mbetje dhe pastroni ose ndërroni kutinë e rërës para se të largoheni.
Nëse një mik, fqinj ose kujdestar do të vijë të kujdeset për kafshët ndërkohë që ju jeni me pushime, është mirë që ta gjeni shtëpinë të pastër që në fillim.
Edhe nëse kafshët do të qëndrojnë diku tjetër gjatë udhëtimit tuaj, ushqimi i mbetur dhe një kuti e papastër rëre mund të shkaktojnë erëra të pakëndshme ndërsa shtëpia qëndron bosh.
7. Plehrat dhe mbeturinat për riciklim
Zbrazni të gjithë koshat e plehrave para se të largoheni, jo vetëm atë të kuzhinës.
Mbetjet ushqimore mund të fillojnë shpejt të kundërmojnë dhe të tërheqin insekte e brejtës. Edhe plehrat e banjës mund të marrin erë të pakëndshme pasi qëndrojnë për disa ditë.
Mos harroni edhe mbeturinat për riciklim. Mbetjet e ushqimit në kanaçe, shishe dhe enë të tjera mund të tërheqin dëmtues, veçanërisht nëse nuk janë shpëlarë mirë.
Nëse përdorni kosh për kompostim, zbrazeni edhe atë para nisjes.
Janë vetëm disa minuta punë, por mund të bëjnë një ndryshim të madh kur të ktheheni nga pushimet dhe të gjeni shtëpinë të pastër, pa erëra të këqija dhe pa surpriza të padëshiruara./MXH
