Një shqiptar ka rënë në prangat e policisë në kufirin Kroaci-Bosnjë pasi në automjetin e tij u gjetën mbi 700 mijë euro cash. Sipas raportimeve, shqiptari u kap falë kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe sendeve të paligjshme.
“Gjatë një kontrolli në dalje nga Kroacia, në veturën e një shtetasi shqiptar u gjetën të fshehura 702 mijë e 435 euro, e cila është një nga sekuestrimet më të mëdha të parave të gatshme në kufijtë kroatë.”-njofton Dogana e Kroacisë.
Autoritetet doganore raportojnë se shqiptari nuk kishte deklaruar paratë ndërsa tentoi t’i largohej policisë, por efektivët e kapën në kohë.
Identiteti i shtetasit shqiptar ende nuk bëhet me dije ndërsa autoritetet kroate kanë nisur hetimet për burimin e të ardhurave, të dyshuara për përfitim nga aktiviteti kriminal. m.p.
