Gazetari Roland Qafoku ka komentuar gjatë një interviste për A2 CNN jetëgjatësinë e qeverisjes së Edi Ramës dhe rotacionin e shpeshtë të ministrave, duke e cilësuar si tregues të mungesës së stabilitetit qeveritar.
Sipas Qafokut, kryeministri Edi Rama, i cili ka hyrë në vitin e 14-të në krye të qeverisë, ka punuar deri më sot me 72 ministra, 6 zëvendëskryeministra, 10 ministra të Brendshëm, 7 ministra të Jashtëm dhe 5 drejtorë të SHISH-it.
Qafoku u ndal veçanërisht te posti i ministrit të Brendshëm, duke theksuar se vetëm gjatë një viti janë ndërruar tre ministra. Sipas tij, mesatarja e qëndrimit në detyrë e një ministri të Brendshëm është vetëm një vit e dy muaj, ndërsa e drejtorit të SHISH-it dy vite e gjashtë muaj.
“Ka një domethënie të madhe që nuk ka stabilitet një kabinet. Fotoja e kabinetit të parë është zhdukur, s’ka asnjë ministër, vetëm z.Rama është. Mirela Kumbaro ka qenë në fillim fare dhe z.Rama. Kjo tregon mungesë stabiliteti”, u shpreh Qafoku.
Ai shtoi se fakti që në 13 vite janë ndërruar 10 ministra të Brendshëm tregon shumë, jo vetëm që ky post është një “minë me sahat”, por edhe se mungesa e stabilitetit të qeverisë është e dukshme./ad
