Last Updated on 24/09/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Ka ikur një zë që mbante peshën e skenës, një prani që trondiste dhe një shpirt që nuk kursente asgjë për artin. Largimi i Enver Petrovcit nga jeta nuk është vetëm një humbje për teatrin dhe kinemanë shqiptare, por një thyerje e heshtur në kujtesën tonë kolektive. Sepse ai ishte një ndër ata aktorë që nuk interpretonin, por i jetonin rolet.
Me një timbër zëri të veçantë, që i jepte gravitet çdo fjale, ai e ktheu çdo shfaqje në përvojë emocionale. Në teatër, në film, në poezi, Petrovci ishte gjithmonë aty, si një dritë e fortë që tërhiqte shikimin, si një rrahje e rëndë zemre që e ndjeje edhe nga larg. Ai nuk kishte nevojë për skena të mëdha – mjaftonte një hap i tij në skenë dhe hapësira mbushej plot.
Në një nga deklaratat e tij, të transmetuar në media, ai shprehej: “Pasi të vdes, do ta vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë unë. Duhet ta rehatojmë shpirtin pastaj çdo gjë shkon në vendin e vet.” Kjo ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qasjes së audiencës që shpesh i vlerëson artistët pasi ata ikin nga kjo botë. Dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme, edhe pse fort e trishtë.
Në skenën e teatrit Petrovci u bë Hamlet, me atë dyshimin ekzistencial që i vinte natyrshëm, si një plagë e brendshme. “Të jesh apo të mos jesh” nuk ishte për të thjesht një fjali e Shekspirit, por një betejë e përhershme me jetën. Në “Makbeth” mishëroi etjen për pushtet dhe tragjedinë e rënies, ndërsa tek “Jul Cezari” gjeti hapësirë për ta kthyer politikën e lashtë në pasqyrë të kohës sonë. Ai nuk kishte frikë të zhvishej para publikut, jo trupin, por shpirtin, dhe kjo e bënte të pakrahasueshëm.
Në kinematografi, Petrovci i dha zë një epoke të tërë. Roli i tij në “Kur pranvera vonohet” mbetet ndër më të paharrueshmit: një figurë e ndërlikuar që bart në vetvete plagët e luftës dhe të jetës. Në “Proka”, në “Era dhe lisi”, në “Në kërkim të kujt” apo “Tuneli”, ai shfaqej gjithmonë i ndryshëm, por i njëjti në thelb – një aktor që nuk pranonte kompromis me të vërtetën e rolit. Edhe kur merrte pjesë në seriale televizive, dinte ta ruante atë prani që të bënte ta ndiqje pa u shpërqendruar.
Petrovci ishte i papërsëritshëm edhe si interpretues i poezisë. Përmes vargjeve, shpesh të ngarkuara me një sens tragjik, ai na zbuloi një anë tjetër të shpirtit të tij, më intime dhe të brishtë, por po aq të fuqishme.
Por ai njihej dhe si themelues institucionesh kulturore. Ai e dinte se arti nuk jeton vetëm me individë, por kërkon edhe struktura, dhe prandaj ishte pjesmarrës në themelimin e Akademisë së Arteve të Bukura në Prishtinë, duke lënë gjurmë jo vetëm si aktor, por edhe si mësues i brezave.
Mbi të gjitha, ai ishte një shpirt i trazuar, një artist që e jetoi artin si mision, duke sjellë në çdo interpretim tensionin e brendshëm të një njeriu që përballet me botën dhe me veten. Petrovci ishte aktori që të jepte ndjesinë se çdo rol ishte shkruar posaçërisht për të. Sepse ai nuk e fuste veten në karakter, por e merrte karakterin brenda vetes.
