Në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, është diskutuar mbi shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri.
Të dhëna nga Instituti kërkimor “Data Centrum”, studimi i të cilëve ka marrë një kampion prej 1000 turistësh të huaj, kanë paraqitur se mesatarja e shpenzimeve totale për një grup të përbërë prej 2-3 personash rezulton në 2025 euro. Ndërkohë, mesatarja e shpenzimeve për një person rezulton të jetë 761 euro.
Shpenzime këto të cilat përfshijnë: akomodimin, ushqim dhe pije, transport brenda vendit, blerje dhe shpenzime të tjera.
Sipas të dhënave nga “Data Centrum”, akomodimi u ka zënë turistëve pjesën më të madhe të shpenzimeve me 44% nga totali i shpenzimeve. Konsumi i ushqimeve dhe pijeve rezultojnë me 29% . Ndërsa, transporti brenda vendit rezulton të jetë 13 %.
Sipas drejtoreshës së Institutit Kërkimor Data Centrum, Sonila Çela, kategoria e transportit vjen me një përqindje të tillë duke marrë parasysh se turistët e huaj kanë zgjedhur të udhëtojnë më shumë me taksi apo makina me qera, sesa me transport publik.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Data Centrum është zbuluar edhe përbërja sipas shtetësisë e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë.
Sondazhi, i zhvilluar me 1000 turistë, tregon se pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vijnë nga Europa. 83% e të intervistuarve janë nga vendet europiane, ndërsa 8% nga Azia, 3% nga Oqeania, 3% nga Amerika e Veriut, 2% nga Amerika e Jugut dhe 1% nga Afrika.
Sipas ndarjes sipas shteteve, Franca renditet në vendin e parë, me 17% të turistëve të intervistuar. Në vendin e dytë renditet Italia me 13%, ndërsa Gjermania me 12%.
Ndërkohë, 12% e të intervistuarve janë përfshirë në kategorinë “të tjerë”, ku përfshihen turistë nga shtete të ndryshme që kanë pasur një përfaqësim më të vogël në kampionin e sondazhit.
Më pas lista vijon me:
Mbretëria e Bashkuar – 8%
Polonia – 6%
Holanda – 4%
Spanja, Turqia dhe Australia – 3%
Belgjika, Danimarka, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Republika Çeke – 2%
Ukraina, Lituania, Kanadaja, Arabia Saudite, Austria, Brazili, Estonia dhe Zvicra – 1%/ad
