Last Updated on 09/12/2025 by Leonard
9 dhjetor 1948. Bota ende gjymtohej nga plagët e Luftës së Dytë Botërore, nga kampet e vdekjes dhe miliona jetë të zhdukura. Pikërisht në këtë klimë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një nga dokumentet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare – Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Me Rezolutën 260, e miratuar atë ditë, bashkësia ndërkombëtare njohu për herë të parë juridikisht termin “gjenocid” dhe e përcaktoi atë si krimin suprem kundër njerëzimit. Ishte një akt moral dhe politik njëkohësisht, që synonte t’i jepte fund epokës së pandëshkueshmërisë për krimet masive ndaj popujve.
Konventa hyri zyrtarisht në fuqi më 12 janar 1951, duke u bërë traktati i parë universal që obligonte shtetet të mos lejonin, por edhe të ndëshkonin sistematikisht shfarosjen e qëllimshme të grupeve etnike, racore, fetare apo kombëtare. E hartuar kryesisht nën vizionin e juristit polak Raphael Lemkin – i cili krijoi vetë termin “gjenocid” – kjo konventë u shndërrua në bazamentin ligjor mbi të cilin më vonë do të ngriheshin gjykatat ndërkombëtare penale.
Rëndësia e saj nuk lidhet vetëm me Holokaustin, sado që ai ishte shtysa më e fortë morale. Dokumenti u bë busull për të emërtuar dhe gjykuar tragjeditë që më pas goditën Bosnjën, Ruandën, Kamboxhian, Darfurin dhe disa zona të tjera të botës që provuan tmerrin e shfarosjes masive.
Deri në maj të vitit 2019, 150 shtete kishin ratifikuar ose aderuar në këtë instrument jurikë, duke e shndërruar atë në një prej traktateve më të pranuara globalisht. Megjithatë, sfida mbetet: ratifikimi është vetëm hapi i parë, ndërsa parandalimi dhe reagimi i shpejtë ndaj gjenocideve të mundshme kërkon vullnet politik, mekanizma të fortë ndërkombëtarë dhe një etikë të përbashkët njerëzore që shpesh ka munguar.
Sot, mbi 76 vjet më pas, Konventa për Gjenocidin mbetet një gur themeli i rendit ndërkombëtar. Ajo kujton se krimet ekstreme lindin nga heshtja, dhe se detyra e çdo shteti është të mos e lejojë kurrë që historia të përsëritet.
Përgatiti: L.Veizi
