Reporteri i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, ishte emri më i spikatur mes kaq shumë gazetarëve të shënjestruar thjesht pse dëshmuan të vërtetën.
Jane Martinson
Në janar të këtij viti, Anas al-Sharif u filmua teksa ngrihej në ajër nga turma, pasi hoqi helmetën dhe jelekun antiplumb për të festuar një armëpushim që do të rezultonte tepër i përkohshëm në Gaza. Këtë verë, gazetari palestinez u përlot teksa raportonte për urinë në qytetin e tij të lindjes, tashmë të kthyer në zonë lufte. Një kalimtar i tha: “Vazhdo, Anas, ti je zëri ynë.”
Por popullariteti i al-Sharifit në Gaza e bëri atë një objektiv. Në korrik, agjenci ndërkombëtare paralajmëruan për rrezikun që ai po përballej, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit intensifikuan sulmet online, duke e etiketuar në mënyrë të rreme si terrorist të Hamasit. Punëdhënësi i tij, Al Jazeera, këmbënguli që ai ta kufizonte raportimin në spitalin më të mbrojtur al-Shifa, pasi babai i tij dhe shumë kolegë u vranë. Në gusht, pak muaj para se të mbushte 29 vjeç, al-Sharif dhe gjashtë të tjerë u vranë në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një tende mediatike pranë spitalit. Në një mesazh pas vdekjes, ai shkroi: “Nëse këto fjalë arrijnë tek ju, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të më heshtë zërin.”
Anas al-Sharif është vetëm një nga 67 profesionistë të medias që u vranë në vitin 2025 gjatë ushtrimit të detyrës, sipas raportit vjetor për sigurinë e gazetarëve të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF). Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) shkon edhe më tej, duke raportuar se 111 gazetarë janë vrarë në vitin 2025, pothuajse gjysma e tyre në Gaza.
Secila prej këtyre vdekjeve është një tragjedi, një shkelje e së drejtës së gazetarëve për të dëshmuar. Megjithatë, vlen të kujtohet historia e al-Sharifit, jo më pak sepse ai u bë një nga shembujt më të njohur të taktikës së diskreditimit të gazetarëve përmes akuzave përanshmërie.
Ushtria izraelite konfirmoi se e kishte shënjestruar al-Sharifin, duke pretenduar se ai drejtonte një qelizë terroriste të Hamasit dhe ishte “përgjegjës për avancimin e sulmeve me raketa kundër civilëve izraelitë” – gjithçka kjo, ndërkohë që ai kalonte kaq shumë kohë në transmetim. Ai i kishte mohuar vazhdimisht këto akuza dhe asnjë nga organizatat kryesore për mbrojtjen e lirisë së shtypit – Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), IFJ dhe RSF – as agjencitë speciale të OKB-së, nuk kanë gjetur ndonjë provë që këto pretendime të jenë të vërteta.
Irene Khan, raportuesja speciale e OKB-së për lirinë e mendimit dhe shprehjes, tha: “Nga njëra anë, Izraeli refuzon të lejojë gazetarë ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza, dhe nga ana tjetër, shpif, kërcënon, pengon, shënjestron dhe vret pa mëshirë pak gazetarët vendas që kanë mbetur si sytë e vetëm të botës së jashtme mbi gjenocidin në vazhdim.” Në gusht 2024, CPJ i bëri thirrje Izraelit të ndalonte ngritjen e akuzave të pabazuara për terrorizëm për të justifikuar vrasjen dhe keqtrajtimin e gazetarëve palestinezë.
Fiona O’Brien, drejtoreshë e RSF-së në Mbretërinë e Bashkuar, më tha se historia e gazetarit të ri ishte “një shembull shumë i fortë i mënyrës se si izraelitët po përpiqen të diskreditojnë gazetarët pa paraqitur ndonjë provë të besueshme. Është një taktikë shumë e qëllimshme”.
Dhe kjo është një taktikë që po funksionon. Nën një ndalim ndërkombëtar të shtypit, të cilin Izraeli refuzon ta heqë – një apel pritej të shqyrtohej nga një gjykatë izraelite më 21 dhjetor – gazetarët ndërkombëtarë janë të ndaluar të hyjnë në Gaza, përveçse në udhëtime të shoqëruara nga ushtria. Ky ndalim e bën shumë më të vështirë tregimin e historive njerëzore që prekin publikun dhe çojnë në veprime të drejtpërdrejta politike.
O’Brien thotë se ndalimi jo vetëm që e ka bërë më të vështirë për organizata si RSF të ofrojnë mbështetje dhe pajisje sigurie për gazetarët nën zjarr, por mungesa e dëshmitarëve okularë e bën më të lehtë edhe diskreditimin e gazetarëve vendas. Në një botë të ngatërruar, ku pretendimet dhe kundërpretendimet përhapen në rrjetet sociale, ndonjëherë mjaftojnë vetëm akuzat për të mbjellë dyshime. Dhe kjo ndodh në një kohë kur besimi në gazetari në mbarë botën po bie me një shpejtësi alarmante.
Më shumë se 240 gazetarë palestinezë janë vrarë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, që shënoi fillimin e luftës. Shumë prej tyre, përfshirë gazetaren e njohur palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, u vranë nga snajperë izraelitë teksa mbanin jelekë me shenjën “PRESS”. Jon Williams, drejtor ekzekutiv i Rory Peck Trust, që mbështet gazetarinë e pavarur, tha: “Gazetarët palestinezë në Gaza kanë qenë sytë dhe veshët e botës dhe kanë paguar një çmim të tmerrshëm. Shumë prej tyre nuk ishin gazetarë në fillim të luftës, por kur njëri ka rënë, tjetri ka marrë kamerën dhe ka vazhduar punën.”
Abdullah Ali, drejtues i komunikimit ndërkombëtar në Al Jazeera-n në pronësi të Katarit, më tha se rrjeti ka arritur të zëvendësojë të gjithë gazetarët e vrarë në Gaza këtë vit me gazetarë të tjerë palestinezë. Në fillim të dhjetorit, grupi mediatik e zhvendosi gruan e al-Sharifit dhe dy fëmijët e tyre shumë të vegjël në Doha.
Jo shumë kohë pas sulmit ndaj gazetarëve pranë spitalit al-Shifa këtë gusht, RSF paraqiti ankesën e saj të pestë kundër Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke e akuzuar për krime lufte në trajtimin e gazetarëve palestinezë. Megjithatë, ata vazhdojnë të vriten pa asnjë ndëshkim. Dhe ka shenja se gjërat po përkeqësohen.
Vetëm katër vjet pasi dy gazetarë – Maria Ressa dhe Dmitry Muratov – u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen për mbajtjen përgjegjëse të pushtetshmëve, vendi më i fuqishëm në botë drejtohet nga dikush që nuk e ka fshehur kurrë armiqësinë ndaj kritikëve të tij në media. Që nga marrja e detyrës në janar, administrata Trump ka paditur organizata mediatike, përfshirë BBC-në, për miliarda dollarë. Ka ndaluar reporterë nga organizata më pak të favorizuara në konferencat e Shtëpisë së Bardhë dhe ka shkurtuar financimin për mediat publike. Së fundmi, ka kufizuar vizat për gazetarët e huaj.
Teksa priste Mohammed bin Salman në Zyrën Ovale, ai e minimizoi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi duke thënë: “Gjërat ndodhin.”
Po, gjërat ndodhin – përfshirë mizoritë më të rënda dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve dhe atyre që mbrohen nga ligji. Me gjithë ndjesën për një mesazh kaq të zymtë në fundvit, nëse gazetarët nuk vazhdojnë të jenë në gjendje të raportojnë për këto tmerre, viti 2026 nuk do të jetë më i mirë se 2025 – dhe mund të jetë shumë më i keq.
*Jane Martinson është profesore e gazetarisë financiare në City St George’s dhe anëtare e bordit të Scott Trust, që zotëron Guardian Media Group.
Përgatiti për botim: L.Veizi
