Ndonjëherë, kur gjendja jote mendore po përmirësohet, mund të ndihesh i/e lodhur, por nën gjithë atë lodhje ekziston ende dëshira për të bërë zgjedhjet e duhura dhe për t’u larguar nga situatat që të shterojnë.
Në fakt, të bëhesh më i/e fortë mendërisht mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë përpara se të fillojë të të japë ndjesinë e fuqisë. Mund të ndihesh i/e rënduar nga gjithçka që po mban mbi supe, por nëse po vëren ndryshime në mënyrën se si përballon pengesat dhe emocionet e tua, ka shumë gjasa që po bën më tepër përparim nga sa mendon.
Shenjat e fshehta që tregojnë se po bëhesh më i/e fortë mendërisht, edhe nëse nuk e ndien menjëherë:
1. Nuk reagon më ndaj çdo gjëje
Një nga shenjat më të mira të forcës psikologjike është të kuptosh se nuk ke pse t’i përgjigjesh çdo gjëje të vogël që të bezdis. Një koment pasivo-agresiv apo një mendim i padëshiruar nuk të trondit më si më parë. Në vend që të përgjigjesh menjëherë, ndalon për një moment dhe mendon nëse vërtet dëshiron ta shpenzosh energjinë tënde për diçka kaq të parëndësishme.
Sigurisht, edhe ti mund të mërzitesh apo të lëndohesh herë pas here. Dallimi është se nuk i lejon më këto ndjenja të kontrollojnë mënyrën se si reagon.
2. Je bërë më i zoti/ e zonja për të thënë “jo”
Forca mendore shfaqet në ato momente kur ndalon së thëni “po” vetëm sepse ke frikë se mos zhgënjen dikë.
Njerëzit emocionalisht të qëndrueshëm refuzojnë ftesat kur janë të rraskapitur dhe nuk pranojnë favore për të cilat realisht nuk kanë kohë, pa u ndier në faj. Në fillim mund të duket e sikletshme, sidomos nëse je mësuar të përpiqesh t’i bësh të gjithë të lumtur.
Dallimi është se po fillon të kuptosh që të thuash “jo” nuk do të thotë se je egoist/e apo i/e vështirë.
3. Mund të pranosh kur ke gabuar
Të jesh i/e fortë mendërisht do të thotë të mos kesh nevojë të fitosh çdo debat dhe të mbrosh krenarinë me çdo kusht.
Kur dikush të tregon se diçka e ke bërë keq, njerëzit që kanë mësuar të rimëkëmben nuk kalojnë menjëherë në mbrojtje. Ata e dëgjojnë dhe e mendojnë. Ata i besojnë vetes mjaftueshëm për të pranuar se kanë bërë një gabim, pa lejuar që ai gabim t’i përcaktojë.
Ekziston një lloj sigurie të veçantë në faktin që pranon pjesën tënde të përgjegjësisë dhe kërkon falje kur është e nevojshme, pa e dënuar veten për këtë.
4. Nuk e ke më problem që të tjerët të të keqkuptojnë
Njerëzit që po ndërtojnë një bazë të fortë mendore e kuptojnë se nuk është e nevojshme të korrigjojnë mënyrën se si çdo person tjetër i percepton.
Nuk mund të kontrollosh nëse dikush e interpreton gabim një vendim tëndin apo të mendon egoiste kur fillon të vendosësh kufij.
Ende shpjegohesh kur diçka ka vërtet rëndësi, por nuk e konsideron më miratimin e të gjithëve si kusht për t’u ndier i/e sigurt me veten.
5. Ndalon së ndjekuri gjërat që të bëjnë të palumtur
Forca mendore mund të duket çuditërisht e zakonshme nga jashtë. Shpesh, ajo nënkupton të heqësh dorë nga marrëdhënie që të rraskapitin ose nga një ide e suksesit që, në fund, rezultoi se të bënte të palumtur.
Njerëzit që kanë zhvilluar qëndrueshmëri mendore e kuptojnë se ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë dhe as i menjëhershëm.
Mund t’u mungojë ende një person. Mund të vajtojnë ende jetën që mund të kishin pasur. Por e dinë gjithashtu se ekziston një ndryshim mes diçkaje që të sfidon dhe diçkaje që të zvogëlon si person.
6. Përballesh me ndjenjat që të vënë në siklet
Një shenjë e qartë e rritjes së forcës mendore është aftësia për të qëndruar me emocionet që do të preferoje t’i shmangie.
Në vend që të pretendosh se je mirë, nuk ke më frikë të pranosh se diçka të ka lënduar ose të ka pushtuar emocionalisht.
Nuk është aspak e këndshme dhe kjo nuk do të thotë se të pëlqen të vuash. Thjesht është një pjesë e rëndësishme e procesit të shërimit përpara se të mund të vazhdosh përpara.
Ndjenjat mund të zgjasin, por ti bëhesh më i zoti/ e zonja për t’i përjetuar pa i lejuar të të pushtojnë plotësisht.
7. Rimëkëmbesh pas pengesave
Edhe njerëzit mendërisht të fortë rrëzohen. Jeta u rezervon të gjithëve të papritura, edhe pse disa njerëz duket se përballen me më shumë prej tyre se të tjerët.
Megjithatë, jo çdo pengesë është dëshmi se dikush po dështon në jetë. Njerëzit e fortë mendërisht e shohin një moment të vështirë si diçka të përkohshme.
Mund t’u duhet pak kohë për t’u mbledhur me veten. Mund të ankohen pak. Por nuk lejojnë që vetja të mbetet e bllokuar aty përgjithmonë.
8. Zgjedh atë që është e mirë për ty
Forca mendore nuk do të thotë gjithmonë të bësh gjënë më të vështirë të mundshme. Zakonisht do të thotë të marrësh vendimet e duhura, edhe kur zgjedhja tjetër do të ishte më e rehatshme.
Mund të mos ndihesh gjithmonë mirë në atë moment. Vendosja e një kufiri mund të jetë e sikletshme. Largimi mund të të bëjë të ndihesh vetëm. Por një shenjë se po bëhesh më i/e fortë është kur arrin të shohësh përtej shqetësimit të çastit.
Në fund të fundit, forca mendore nuk ka të bëjë me faktin që nuk lodhesh, nuk lëndohesh apo nuk ke momente dobësie. Ka të bëjë me mënyrën se si zgjedh të sillesh pavarësisht tyre.
Dhe ndonjëherë, fakti që ndihesh e rraskapitur ndërsa vazhdon të zgjedhësh veten është pikërisht dëshmia se je duke u bërë më i/e fortë./mxh
