Last Updated on 12/10/2026 by Anisa
Nëntë drejtues kanë kaluar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në 13 vite, që prej vitit 2013. Adriatik Kupi është i fundit në këtë listë, pasi dha dorëheqjen më 12 tetor 2026, vetëm shtatë muaj pasi mori detyrën.
Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e institucionit tregojnë se qëndrueshmëria në këtë post ka qenë e kufizuar, me drejtues që kanë qëndruar disa vite në detyrë, por edhe të tjerë që janë larguar pas pak muajsh.
Sipas kronologjisë së drejtuesve, i pari në këtë periudhë ishte Artur Zoto, i cili qëndroi nga 5 tetori 2013 deri më 16 korrik 2016, për rreth dy vite e nëntë muaj. Pas tij, detyrën e mori Miklovan Kopani, i cili qëndroi rreth dhjetë muaj.
Në maj të vitit 2017, drejtimi kaloi te Arjan Hoxha, që qëndroi për rreth dy muaj, në një periudhë tranzitore. Më 20 korrik 2017, në krye të Burgjeve u emërua Arben Çuko, i cili qëndroi deri në shtator të vitit 2018.
Pas tij, Stefan Çipa drejtoi institucionin për rreth pesë muaj, nga shtatori 2018 deri në shkurt 2019. Në këtë periudhë, ndryshimet në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve vijuan me ritme të shpejta.
Një nga drejtuesit me qëndrimin më të gjatë ishte Agim Ismaili, i cili qëndroi nga 6 shkurti 2019 deri më 17 dhjetor 2021, për rreth dy vite e dhjetë muaj. Pas tij, detyrën e mori Admir Abrija, i cili drejtoi institucionin për rreth dy vite e dy muaj, deri në shkurt të vitit 2024.
Në mars të vitit 2024, në krye të Burgjeve u emërua Klevis Qose, i cili qëndroi deri më 1 prill 2026, për rreth dy vite. Pas largimit të tij, drejtimin e mori Adriatik Kupi, mandati i të cilit përfundoi më 12 tetor 2026, me dorëheqjen e tij pas vetëm shtatë muajsh në detyrë.
Bilanci i 13 viteve nxjerr në pah lëvizjet e shpeshta në krye të një prej institucioneve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë. Mesatarisht, drejtuesit kanë qëndruar rreth një vit e gjysmë në detyrë, ndërsa disa prej tyre nuk kanë arritur të përfundojnë as një vit në këtë post.
Pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, pritet të shihet se kush do të jetë drejtuesi i radhës i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me burimet e Replikë që konfirmojnë se do të jetë një femër dhe nëse emërimi i ri do të sjellë një periudhë më të gjatë stabiliteti në drejtimin e institucionit./ad
