Në vigjilje të Krishtlindjes, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar sot në rrjetet sociale, një video me momentet festive që duket se kanë “mbërritur” edhe në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Mes zbukurimeve të festave dhe gëzimit të ardhjes në jetë të foshnjeve, Koçiu e cilëson këtë maternitet, “vendin ku fillojnë mrekullitë”.
Pak ditë më parë, ministrja Koçiu dha lajmin e mirë se për herë të parë pranë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, erdhi në jetë fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar (in vitro).
Koçiu theksoi se ardhja në jetë e fëmijës së parë nëpërmjet teknikës inovative të mjekësisë moderne u bë e mundur falë investimit të qeverisë për ngritjen e Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) duke e kthyer në një qendër model të shtatzënisë në nivel kombëtar përmes riprodhimit të asistuar.
Qeveria shqiptare dhe MSHMS kanë mundësuar financimin e plotë të paketës së fertilitetit, një shërbim i cili tashmë ofrohet falas për ata bashkëshortë apo çifte të cilët duan të kenë fëmijën e tyre nëpërmjet kësaj procedure./ S,M