Aksidentet rrugore shënuan ulje edhe në muajin e tretë të vitit me një total prej 89 rastesh. Të dhënat zyrtare tregojnë se shkaku kryesor i aksidenteve vijon të mbetet sjellja e shoferëve në timon.
“Në muajin mars 2026 janë regjistruar 89 aksidente rrugore, në të cilat 117 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës janar-mars 2026, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajit mars 2026, 86,5% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve” thuhet në publikimin e INSTAT.
I njëjti vlerëson se të rinjtë janë edhe ata që mbajë peshën më të lartë në totalin e rasteve të aksidenteve të raportuara.
Konkretisht grupmosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 32,6% të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.
INSTAT vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e enjte me 18,0%, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e dielë me 9,0%.
Ndërkohë numri më i lartë i aksidenteve rrugore është regjistruar përgjatë harkut kohor 17:00-19:00, duke përbërë 23,6% të numrit total të aksidenteve rrugore./monitor.al
