Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka reaguar me një mesazh prekës për studenten Bora Keçi, e cila humbi jetën tragjikisht bashkë me të atin në një aksident.
Ai e kujton si një studente shembullore dhe thekson se humbja e saj është e madhe për familjen dhe komunitetin mjekësor.
Si homazh, pedagogu ka publikuar edhe provimin e saj të fundit në Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku ajo ishte vlerësuar shkëlqyeshëm.
Postimi
“Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm. Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!”

