Kryeministri Edi Rama, ka ndarë dje në rrjetet sociale, pamjet e “Mangalem’s Shades”, një festival muzikor dritash dhe ngjyrash që tashmë po kthehet në një traditë të përvitshme kulturore në qytetin e Beratit.
“Mangalem’s Shades” synon të bashkojë njerëzit për të shijuar një shfaqje të teknologjisë së lartë dhe për të përjetuar diçka ndryshe nga rutina e tyre e përditshme, ndërsa fantazojnë për një jetë plot ngjyra.
Në këtë aktivitet do të ngrihet një skenë ku DJ do të performojnë elektromuzikë. Shfaqjet do të përfshijnë ndriçim dekorativ dhe shfaqje lazer. Projeksioni mund të shihet nga çdo kënd dhe nga çdo anë ku mund të shihet “Mangalemi”.
Rrethuar nga peizazhe magjepsëse, gjelbërim i harlisur, aventura dhe me qendrën e tij të fortifikuar, Berati strehon shumë thesare shqiptare me rëndësi historike dhe kulturore. Me arkitekturën unike të vendit, tolerancën fetare dhe ndërtesat e epokës otomane, ky qytet është një perlë e vërtetë e trashëgimisë sonë kulturore, vlerësuar e mbrojtur nga UNESCO./K.K