Last Updated on 30/12/2024 by adminfjala
Viti 2024 është perceptuar si viti i SPAK për shkak të goditjeve që ka bërë siç është arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, arrstimin e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj si dhe hetimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj si dhe të 5 drejtorave në Bashkinë e Tiranës.
Në vitin 2024, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vazhdon të jetë një nga aktorët kryesorë në fushën e drejtësisë në Shqipëri. Këtë vit, SPAK ka ndërmarrë hetime të ndërlikuara që përfshijnë disa figura të njohura të politikës dhe administratës publike, duke lënë një impakt të madh në opinionin publik. Në mes të këtyre hetimeve, dy emra që kanë tërhequr vëmendjen më të madhe janë Ilir Meta dhe Erion Veliaj, ky i fundit Kryetar i Bashkisë më të madhe të vendit dhe i lidhur fort me pushtetin qëndror.
Erion Veliaj
Një nga hetimet më të përfolura të vitit 2024 është ai ndaj Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj po hetohet për dyshime lidhur me abuzime me tendera dhe favore të dhëna në projekte infrastrukturore të mëdha, të cilat kanë përfshirë një shumë të konsiderueshme parash dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kryeqytetit. Hetimet kanë ngritur pyetje mbi transparencën e tenderëve dhe mundësinë e manipulimit të procedurave për të favorizuar kompani të lidhura me pushtetin. Të dhënat që dalin nga këto hetime kanë krijuar një valë reagimesh të ashpra, sidomos nga opozita, e cila e sheh këtë si një mundësi për të ngritur akuza ndaj administratës së Veliajt dhe për të sfiduar kredibilitetin e tij.
Për Veliajn, që është një emër i njohur dhe mjaft i lidhur me Partinë Socialiste, ky hetim është një test i rëndësishëm për SPAK. Ky është një hetim që përfshin jo vetëm projekte lokale, por gjithashtu ka një dimension kombëtar, për shkak të ndikimit të tij në qeverisjen lokale dhe mundësinë e shtrirjes së lidhjeve të tij me persona të tjerë në administratën qendrore. Kjo ka shtuar presionin ndaj SPAK për të vepruar pa u ndikuar nga trysni politike dhe për të sjellë një proces transparent dhe të paanshëm.
Nëse SPAK do të mund të nxjerrë rezultate të dukshme dhe të vërtetojë akuzat, ai do të shënonte një hap të madh në forcimin e besimit të publikut në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri. SPAK nisi hetimet për Erion Veliajn në vitin 2023, pas një denoncimi anonim, i cili e akuzonte atë për abuzime me tendera dhe favorizim të disa kompanive në projekte të mëdha infrastrukturore.
Ky denoncim anonim, që fillimisht u mor me rezerva, ka çuar në një hetim të plotë dhe ka ngritur dyshime serioze për mundësinë e manipulimeve të tenderëve dhe përfitimeve personale të Veliajt. Në një zhvillim të rëndësishëm të hetimit, më 15 maj 2024, Veliaj është thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme, ku është pyetur lidhur me akuzat që po shqyrtohen ndaj tij.
Thirrja e Veliajt është parë si një moment kyç për hetimin, pasi është një ndër hapat e parë që tregon se SPAK po merr veprime konkrete dhe të bazuara në ligj edhe për njerëzit e lidbur ngushtë me qeverinë. Pas thirrjes së tij në prokurori, ka pasur reagime të shumta nga opozita, e cila ka theksuar rëndësinë e hetimit të të gjitha rasteve të mundshme të korrupsionit, ndërsa mbështetësit e Veliajt kanë shprehur besimin se ai do të dalë i pastër nga këto akuza.
Deri tani, hetimi është ende në fazën fillestare, dhe shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Nëse SPAK do të arrijë të mbledhë prova të mjaftueshme dhe të hedhë dritë mbi manipulimet e mundshme, kjo mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Megjithatë, asnjë vendim për ndjekje penale ose arrestim nuk është marrë ende, dhe të gjitha palët presin që hetimi të vazhdojë në përputhje me procedurat ligjore. Në këtë kuadër, 2024 do të jetë një vit kyç për SPAK, pasi hetimi ndaj Erion Veliajt mund të përbëjë një nga rastet më të rëndësishme që do të testojnë aftësinë e këtij institucioni për të punuar pa ndikime të jashtme dhe për të sjellë drejtësi për ata që akuzohen për shkelje të ligjit.
2024 është një vit vendimtar për SPAK, sepse ky institucion ka mundësinë të dëshmojë aftësinë e tij për të ndjekur pa frikë dhe pa ndikuar nga pushteti qendror. Në të kundërt, arritjet e SPAK në këtë vit do të kontribuonin në forcimin e besimit të qytetarëve dhe do të shërbenin si një nxitës i mëtejshëm i reformave të thella të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Përfundimisht, vitin 2024 mund ta konsiderojmë si “vitin e SPAK”, por gjithçka do të varet nga mënyra si ky institucion do të përballet me hetimet më të vështira dhe presionet politike, si dhe se si do të arrijë të dërgojë mesazhin e një drejtësie të pavarur dhe pa ndarje në hetimet e tij.
Ilir Meta
Ndërkohë, Ilir Meta, ish-presidenti i Shqipërisë dhe lideri i partisë LSI, ka qenë një figurë e diskutuar për vite me radhë në lidhje me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime të tjera me detyrën, SPAK lëshoi urdhër arresti më 21 tetor të këtij viti. “Është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit Ilir Meta vendimin e Gjykatës për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.
Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, është thënë në reagimin e Policisë.
Në një postim në llogarinë e Metës në Facebook, është thënë se “nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht”. Nuk është bërë e qartë si është bërë ky postim, marrë parasysh masën e arrestit ndaj Metës.
“Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë! Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat”, është thënë mes tjerash në postim. SPAK thekson se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura. Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024. Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme, subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Të përfshirë në këtë marrëveshje korruptive rezultojnë edhe Pirro Xhixho, babai i deputetës së Partisë së Lirisë, që ka mbajtur postin e kryetarit të AKEP. “Personi nën hetim, Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik ‘Lëvizja Socialiste për Integrim’, në zbatimin e porosive të marra nga subjektet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.”, thuhet në deklararën e SPAK.
Po kështu, çifti Meta-Kryemadhi rezultojnë të përfshirë në një tjetër episod korruptiv, duke marrë përsipër dhe duke ndryshuar në Kuvendin e Shqipërisë një ligj për një biznesmen dhe kanë përfituar prej tij përkohësisht një vilë. SPAK thotë se Ilir Meta nuk ka deklaruar një shumë prej më shumë se 463 mijë dollarësh për lidhjen e një kontrate lobimi mes LSI dhe një kompanie lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po kështu, blerja e një apartamenti dubleks në zonën e ish-Bllokut nga Meta, Kryemadhi dhe nëna e kësaj të fundit, Fatime Kryemadhi, ka dyshime se është bërë me para që burojnë nga korrupsioni. “Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dubleksit, janë derdhur cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në mars-nëntor 2010.
Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.”, thuhet bë deklaratën e SPAK.
Rasti i fundit lidhet me shpenzimet mjekësore të kryera gjatë viteve 2013-2019 në një klinikë private, që bashkëshortët në vlerën totale prej 106,125 euro nuk i kanë deklaruar.
Ilir Beqaj
Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e 4 korrikut njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). SPAK tha se në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij gjatë viteve 2022-2023 kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisionit Evropian.
“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të ngjarjeve: ‘Mbi organizimin e Konferencës Festa[E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri]’, si dhe ‘Konferenca e Energjetikës’, organizuar në vitin 2023 nuk u janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas prokurorisë, tenderët që janë zhvilluar me prokurim të thjeshtë, janë urdhëruar nga Ilir Beqaj.
Një prej shërbimeve, (organizimi i konferencës për turizëm) në vlerë prej 125.000 eurosh është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës prej 380.000 eurosh) për të njëjtin ngjarje, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare, që ka si administrator dhe drejtor dy persona nën hetim për abuzime me fondet e ndihmës së bashkimit Evropian.
SPAK thotë se i vetmi shërbim i ofruar në kuadër të këtij ngjarjeje nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, në një vlerë prej 4.189.000 lekë (40.000 euro) në restorant Gzona, që dyshohet se është në pronësi de facto të Ilir Beqajt.
SPAK-u thotë se Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi këtë restorant pranë Kalasë Tiranë.
“Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masën 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020, duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un”, thekson SPAK-u. SPAK thotë se interesat pasurore të tij mbi këtë restorant, Beqaj i ka ushtruar përmes bashkëpunëtorit të tij, i cili i ka administruar ato, duke qenë i punësuar që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Në të njëjtën mënyrë ka fshehur edhe një automjet.
Prokuroria thotë se gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë (7.000 euro), aparate telefoni me interes për hetimin.