Last Updated on 30/12/2024 by adminfjala
Në vitin 2024, Prokuroria e Posaçme dhe SPAK kanë vijuar hetimet dhe operacionet për korrupsion dhe krime të tjera të rënda, duke shënuar disa zhvillime të rëndësishme. Në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të regjistrojë hetimet për ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, ku katër protestues humbën jetën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Hetimi i kësaj ngjarjeje u nis pas kërkesës së familjarëve të të vrarëve, për të siguruar që kjo ngjarje të hetohej nga struktura e posaçme. SPAK ka detyrim të hetojë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, dhe të gjithë zinxhirin komandues pas ngjarjeve që përfunduan me vrasjen e katër personave.
Deputeti Cyrbja
Në 28 dhjetor 2024, SPAK realizoi një operacion të madh ku u arrestua deputeei i Partisë Socialiste që vinte nga listat e Durrësit, Jurgis Çyrbja, një emër i njohur për lidhjet me grupe kriminale i cili doli në përgjimet e Sky me persona të përfshirë në rrjetet krimianle.
Ky arrestim është pjesë e një hetimi të gjerë që ka çuar në shkatërrimin e disa grupeve kriminale në Tiranë dhe qytete të tjera, përfshirë Durrësin, Vlorën, Lezhën dhe Rrëshenin.
SPAK realizoi një operacion të suksesshëm, duke arrestuar 20 persona në Shqipëri dhe jashtë saj, përfshirë Leonard Duka, kreun e klanit Duka dhe rivalin e Ervis Martinajt, si dhe Arjan Tuku dhe Denis Meta në Spanjë dhe Itali.
Gjatë operacionit, u arrestuan gjithashtu disa persona të tjerë të lidhur me aktivitete kriminale, përfshirë trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në fund të vitit, një tjetër operacion i SPAK shpalli 43 urdhër-arreste për emra të njohur të krimit të organizuar, duke përfshirë edhe ish-deputetin Arben Ndoka dhe Plaurent Dervishaj, pasi hetimet zbuluan lidhjet kriminale të këtyre individëve me grupe të strukturuara dhe përfshirjen në aktivitete të paligjshme.
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa qytete të Shqipërisë për ekzekutimin e 43 urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Posaçme.
Kontrollet janë përqendruar në qytete si Tiranë, Shijak, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin dhe Vlorë. Ky operacion është realizuar pas zbërthimit të aplikacioneve të njohura si SKY EÇ, të cilat kanë mundësuar kapjen e kriminelëve të njohur dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në Tiranë, kontrollet janë zhvilluar në zonën e Freskut, në shtëpinë e babait të vëllezërve Duka, ndërkohë që në Nikël janë kontrolluar banesat e vëllezërve Durim dhe Valter Bami. Po ashtu, në Vlorë janë realizuar kontrolle në disa banesa, përfshirë atë të Fatmir Hysenit, i njohur me nofkën “Doqja”.
Në kuadër të këtij operacioni, janë shpallur në kërkim emra të njohur të krimit të organizuar, si Ervis Martinaj, Durim Bami, Astrit dhe Aldo Avdylaj, ish-deputeti Arben Noka dhe nipi i tij Samuel Noka.
Ky operacion ka zbardhur gjithashtu 21 ngjarje të rënda kriminale, duke përfshirë vrasje, atentate të mbetura në tentativë, trafik droge, pastrim parash dhe veprime të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.
Viti 2024 ka qenë një vit i rëndësishëm për SPAK dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Nga hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011 deri te operacionet ndërkombëtare dhe arrestimet e kriminelëve të njohur, ky vit ka sjellë zhvillime të rëndësishme që synojnë forcimin e drejtësisë dhe garantimin e përgjegjësisë për ata që abuzojnë me pushtetin.