“Unsere Heimat”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Mënyra sesi po sillet presidenti i rizgjedhur Trump, po i tregon botës të gjitha nuancat e fjalës “patriotizëm”.

Në ditët e fundit, ekipi i ri drejtues i SHBA-së po na mëson se çfarë është patriotizmi i llojit të tyre, por edhe sesi koncepti këtej e tutje do jetë i lidhur me parimet e vendeve të ndryshme përballë tyre. Mënyra sesi po sillet presidenti i rizgjedhur Trump, po i tregon botës të gjitha nuancat e fjalës “patriotizëm”, ndërsa përballja e botës: atë që ndjejnë përballë arrogancës së diktatit të shtetit më të fuqishëm të botës. Kanadaja dhe Meksika po i mësojnë botës arsyetimin real të sensit patriotik. Dhe, jo me fjalë, por me ligjërime dhe aksione konkrete.

Mijëra e mijëra kilometra më tutje, Shqipëria po mundohet ta përcjellë, sipas mënyrës së saj, realitetin e sotëm patriotik. Që nuk është e lidhur me dalldinë e brohorive kuq-e-zi gjatë ndeshjeve të futbollit; këngëve dhe fjalëve kinse patriotike; gjykimi për administratën e re amerikane, konform interesave tona të vogla; apo mesazhet që qarkullojnë tashmë në fushatën e nisur të partive politike, por në perceptimin e vërtetë patriotik të fjalës.

Po për ta kuptuar më mirë se çfarë është patriotike në Shqipëri, duhet të rreshtosh të kundërtën e asaj se çfarë s’është patriotike?! Nuk është patriotike sot, që mezi të flasësh ose të pëshpëritësh për 80-vjetorin e fitores antifashiste; nuk është patriotike të ngazëllehesh (siç bënin të rinjtë e partive kryesore në aktivitetet e fundit) për dy partitë kryesore politike në vend, kur kujton gjendjen ku e kanë përcjellë vendin partitë e vjetra; nuk është patriotike të vjedhësh kaq frikshëm në një vend të varfër; nuk është patriotike t’u shmangësh taksave; nuk është patriotike që edhe pse i pasur t’i kërkosh vazhdimisht privilegje shtetit tënd përmes rrugëve të tërthorta të lidhjeve me qeverinë socialiste; nuk është patriotike të përdorësh heronjtë; nuk është patriotike për ata që vrasin dhe kanë lista vrasjesh; ashtu si nuk është patriotike nga njerëzit e drejtësisë, që krimet e mëdha të vitit ’97, Gërdecit, 21 Janarit t’i lenë të pazbardhura…dhe lista vazhdon të jetë e gjatë e frymuar me korrupsionin e frikshëm socialist.

Ndaj patriotizmi ynë mbetet qesharak, kur arrijmë që të adhurojmë ende diktatorët dhe autokratët e huaj dhe rasti i shumë individëve e tregon hapur këtë.
Dhe, mund të jesh kritik për Shqipërinë, por kur vjen puna që vendi ynë ofendohet dhe nëpërkëmbët nga të huajt ose kritikohet pa të drejtë, duhet ta mbrojmë atë paçka ngjyrave politike. Kjo nuk ndodh me tandemin PS dhe PD. Shqipëria ka shumë probleme dhe s’është perfekte dhe s’duhet ta fshehim atë, siç bëhet sot rëndom nën pushtetin Rama. Nuk mund të marrësh fjalët e kujtdo individi, qoftë periferik por qoftë edhe me tagër opozite, si në rastin e z. Berisha dhe, ta bësh pa e shqyrtuar atë si pjesë e diskursit tënd. Dhe, rasti si po mbështetet, tashmë tek Bejleri, të njëjtin personazh që dikur e anatemoi, është i frikshëm. Historiani Snyder në librin e tij “Mbi Tiraninë”, pikërisht në sythin e 19-të që ia ka kushtuar patriotizmit tregon hapur të gjithë ato vlera që mungonin nën mandatin e Trump-1, duke na sqaruar se: Presidenti (lexo: Trump) është një nacionalist dhe kjo nuk është fare e njëjta gjë me të qenët patriot. Dhe, për ta mbështetur si argument na sjell fjalët e Orwell: “Një nacionalist, megjithëse pafundësisht flet për fuqi, fitore, disfatë, hakmarrje, ka tendencën të jetë i painteresuar për atë që ndodh në botën reale”.

Realiteti real ka shtegtuar ndër politikanët shqiptarë, që vetëm mendojnë për pushtetin e tyre dhe fare pak për Shqipërinë që po bjerret përditë.
E tillë është sot situata në vendin tonë dhe me kinse patriotët, që u shkon shumë nga ana tjetër, logjika e Oskar Wilde: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Nëse politikanët tanë do të ishin patriotë duhet të shqetësoheshin për Shqipërinë reale, ku ende ngrihen akuza që blihen rëndom votat; që ka varfëri dhe përballë vuajnë cinizmin e zyrtarëve; që administrata të vjedh dhe të çorodit me paaftësinë e vet; që politikanët shpenzojnë frikshëm ose presin favore dhe ato i konvertojnë pastaj në ligje, që ndihmojnë pasuritë e pak grupimeve me pushtet në çdo segment të vendit.

Lexo edhe :  Një kumar politik në Gjermani rezultoi mbrapsht, afroi të djathtën ekstreme me pushtetin

Kufiri midis asaj që konsiderohet të jesh krenar për vendin/racën dhe të shprehurit indirekt se ne shqiptarët jemi më të mirë se të gjithë të tjerët (zakonisht në Ballkan e kanë njësoj dhe shtetet e tjera) mund të konsiderohet i hollë, por kjo nuk na pengon të peshkohemi në patriotizmin tonë kallp, që shfrytëzohet aq bukur nga politikanët. Ndërkohë Evropa që sot po i vendoset përballë këtij patriotizmi cinik nga SHBA-të e ka zgjedhur duke folur për temat që e shqetësojnë: nga e ardhmja me marrëdhënien me Rusinë dhe duke vazhduar me mënyrën sesi qytetarët e thjeshtë, politikanët dhe të pasurit do sillen me natyrën e vendeve të tyre; si do jetë përballja e brezave të rinj me ligjin; si do të përballin të ardhmen e tyre, në këto zhvillime të pazakonta. Ndërkohë që në Shqipërinë tonë, ku flitet çdo kohë për patriotizëm, kundërvajtësit dhe dëmtuesit e ligjeve ose ata që zaptojnë dhe nuk paguajnë energjinë, në prag fushatash amnistohen me kushtin t’u përfitohet vota. Amnistohen ndërtimet pa leje dhe falen ofenduesit, që nuk rreshton në vend…

Kjo është Shqipëria jonë e vitit 2025, që çuditërisht po bën rrugën evropiane dhe paradoksalisht po provon se: zhvillimi shpesh nuk varet nga ajo. Një patriot shqiptar, në pushtet apo jo, duhet të shqetësohet për botën reale, e cila është e vetmja hapësirë ku vendi i tij mund të dashurohet dhe ruhet dhe ku provohet ndjenja e tij. “Një nacionalist do të thotë se :’Kjo nuk mund të ndodhë këtu’, gjë që është edhe hapi i parë drejt katastrofës. Një patriot thotë se kjo mund të ndodhë këtu, por ne jemi gati për ta ndaluar”, shkruan Timothy Snyder.

Në patriotët e sotëm shqiptarë nuk jemi as në masën e atyre fëmijëve, që dikur u kujtohej dashuria e vërtetë për atdheun në çdo hap. Në çdo aktivitet fëmijëve të vegjël në Gjermaninë Demokratike, u kërkohej të mbanin mënd dhe të recitonin një poezi të titulluar “Unsere Heimat” (Atdheu ynë) që u kthye më vonë në këngë: “Atdheu ynë nuk janë vetëm qytetet dhe fshatrat, \Atdheu ynë janë edhe të gjitha pemët në pyll. \Atdheu ynë është bari në livadh, \gruri në fushë dhe zogjtë në ajër\dhe kafshët e tokës\ dhe peshqit në lumë janë atdheu”. I tillë është atdheu, ajo gjëja abstrakte, që nuk të dhemb realisht, por që i jep kuptim ekzistencës tënde në çdo qenësi së saj. /    S,M

Të fundit

Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse pini shafran të Indisë çdo ditë!

Shafrani i Indisë është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të marrë të gjitha përfitimet e mahnitshme...

Ja cilat janë universitetet më të mira në Europë

36 nga 100 universitetet më të mira globale janë në Europë, një rritje disi e konsiderueshme në krahasim me 28 universitetet që kishte Europa...

Po afron 14 shkurti dhe ti je single? Ja 5 arsye për të festuar

14 shkurtin zakonisht çiftet e kalojnë bashkë, por kjo datë është gjithashtu dita më e mirë që ju të dashuroheni me veten. Është koha...

FOTO/ Familjarët e Loredanës ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre

Nuk ndalen familjarët e Loredanës/ Pas largimit të Jozit nga shtëpia, ata e ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre Ata kanë publikuar një imazh të saj...

Donald Trump planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën

Presidenti Donald Trump po planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën, duke shënuar herën e parë që një president...

Lajme të tjera

Web TV