Last Updated on 07/05/2026 by Kesjana
Nga Majlinda Bregu
Ka një tingull të veçantë 24 orëshi në Tiranë.
Eshtë tingulli i një qyteti që ulëret me veten: bori dhe makina pa marmita gjatë natës, muzikë club ose dasmash që “thyen” xhamat e dritareve, betoniera e matrapikë ndërtimi që nuk ndalen kur bie drita.
Vitin e kaluar, monitorët e Co-PLAN-it regjistruan atë që shumica prej nesh tashmë e ndienim në trup.
Në 78% të pikave të matjes nëpër kryeqytet, niveli i zhurmës gjatë ditës e kaloi pragun prej 55 decibelësh, vijën përtej së cilës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fillon dëmi.
Në shumicën e pikave të matura, dioksidi i azotit, -ndotësi tipik nga makinat sidomos ato me naftë, – në disa raste arrin deri në 5 herë mbi standardin.
Që Tirana është një nga qytetet më të ndotura në Europë, (indeksi i ndotjes së Numbeo-s e vendos kryeqytetin tonë me 87.5), është fakt i njohur.
E reja është ajo që Agjencia Evropiane e Mjedisit(EEA) ka publikuar së fundmi: faktet që lidhin ekspozimet ndaj ndotjes, nga zhurmat dhe mjedisore me depresionin, ankthin, përkeqësimin e simptomave psikotike dhe Demencën.
Një analizë e kujdesshme, (siç duhet të jetë shkenca), konfirmon një rritje prej 12% të rrezikut të depresionit për çdo dhjetë decibelë rritje të zhurmës mbi normën.
Por zhurmat nuk vijnë vetëm.
Ajri i tejngopur me grimca të imëta betoni dhe dioksidi të azotit, dy ndotësit ku Tirana zë vëndin e parë vazhdimisht, lidhet me shfaqjen e hershme të depresionit.
Më qartë,ajri që thithin fëmijët sot, shton rrezikun e shfaqjes se simptomave depresive apo skizofrenike në moshë të rritur.
Dhe nuk mbaron me kaq.
Grimëcat e imëta në ajër, aq të vogla sa hyjnë në mushkëri dhe kalojnë në gjak, rrisin rrezikun e demencës.
Thënë ndryshe, në qytete si Tirana, ku pluhuri i ndërtimit, makineritë e rënda, kamionët që transportojnë inerte ditë e natë, rreziku i Demencës është të paktën 14% më i lartë se sa mesatarja e Europës.
Imagjinoni pak prindërit që shëtisin me fëmijët sot. Të dy brezat janë të rrezikuar mendërisht, nga ndotja që thithin e “ninullat” e zhurmave natën.
Për vite e vite me radhë, shëndeti mendor është parë si sëmundje e lidhur me trashëgiminë familjare, diktatura, emigracionin, traumat e tranzicionit dhe deficititet e trajtimit. Pak psikiatër, pak shtretër, shumë stigmë, shërbim këshillimi e terapie i parregulluar, e me radhë.
Por shkenca po e rishtron pyetjen: Pse kaq shumë raste të shtuara me probleme të shëndetit mendor?!
Ajo thotë se një pjesë e konsiderueshme e depresionit me të cilin jeton një grua e re në Fushë-Krujë, një pjesë e ankthit që një fëmijë në Fier mban pa i vënë emër, një nënë që nuk njeh papritur fëmijët në Tiranë, nuk kanë vetëm historinë familjare si shkak.
Shëndeti mendor nuk është dështim personal, as dobësi kulturore, siç këmbëngulte dikur gramatika e vjetër e turpit.
Ndikohet çdo ditë dhe në mënyrë të matshme, nga vendimet për trafikun, urbanizimin, karburantin, lejet e ndërtimit, pse jo edhe nga pagesat nën dorë për të mos ndalur ahengun, zhurmën, patentën e me radhë.
Një vend që financon psikologun në shkollë, ndërsa lejon një kantier ndërtimi njëzet e katër orë në ditë brenda dyqind metrave nga ajo shkollë, nuk po jep thjesht një leje ndërtimi më shumë.
Po merr një vendim për shëndetin e qytetarëve të vet.
Nëse ulet ndotja te 21 Dhjetori, nuk po përmbushim vetëm një standart europian mjedisor. Sipas shkencës më të mirë në dispozicion, po ulim edhe rrezikun e depresionit për brezin që do të rritet në atë rrugë, si dhe rrezikun e demencës për brezin që do të plaket në të.
Po, cilësia e ajrit që po na çmend, është edhe pjesë e atyre standarteve europiane për të cilat nuk kemi filluar ende të duartrokasim e rrahim gjoksin si të përmbushura, madje edhe i shpërfillim lehtësisht, sipas parimit, çfarë nuk meriton të jetë në paradën e arritjeve, nuk ekziston.
Por çdo natë pa gjumë, çdo frymëmarrje me pluhur, çdo zhurmë që hyn nga dritarja, e sëmur mendjen ngadalë, çdo ditë, shumë më gjatë se sa zgjat një mandat.
