Last Updated on 07/05/2026 by Kesjana
E kam ndjekur me vëmëndje të shtuar rezolutën e prezantuar më 30 prill në Kongresin Amerikan nga kongresmeni republikan Keith Self, së bashku me dy kolegët e mirënjohur, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e cila në thelbin e saj argumenton rëndësinë strategjike që mbart për ShBA anëtarësimi i Kosovës në NATO!
Me këtë rast, nuk mund të mos shpreh revoltën, për të mos thënë neverinë, ndaj mungesës cinike të vëmendjes që mori nga politika e ditës, si dhe mediat në Prishtinë dhe Tiranë kjo rezolutë historike për ardhmërinë në NATO, si dhe interesat gjeopolitike të Kosovës.
Por në pamundësi për përgjigje të dedikuar studiove televizive, gazetave dhe portaleve të interesuara, në vijim gjeni përmbledhje rreth peshës gjeopolitike që mbart kjo rezolutë jo vetëm për anëtarësimin e Kosovën në NATO, paqen dhe stabilitetin demokratik të rajonit, por edhe për mbrojtjen e statusques/interesave gjeopolitike të SHBA në Ballkanin Perëndimor:
Nga njëra anë, konsideruar kohën, mjedisin e sigurisë si dhe përmbajtjen e “mençur”, citojmë: “..anëtarësimi i Kosovës në NATO do të shërbente si kundërpërgjigje e domosdoshme për të penguar përpjekjet armiqësore si dhe për të parandaluar shpërthimin e një katastrofe tjetër globale në Ballkan”, këtë rezolute e çmoj si: “konfirmim të besimit dhe peshës që mbart Republika e Kosovës për të mbrojtur supremacinë afatgjatë të ShBA ndaj Rusisë dhe Kinës, si dhe për të zhvilluar interesat gjeopolitike të USA në Ballkanin Perëndimor”.
Kështu, kjo rezolutë, që e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO (krahas RSh) si qendrën e gravitetit, nuk është një akt i shkëputur i 3 kongresmenëve, as një rezolutë e ngjashme 1 vit më parë, por demostron vendosmërinë strategjike të SHBA, si dhe projektin Trump-2: “Interesat e USA mbi gjithçka, amerikanët mbi të gjitha”! Si shëmbull ilustrues të këtij zinxhiri vazhdimësie, mjafton të sjellim në kujtesë edhe “marreveshjen Trump-1”, nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020, ose paketën me: “njohjen nga Izraeli, autostradën e paqes Beograd–Prishtinë, Port në ujërat e thella të Adriatikut, etj”.
Nga ana tjetër, këtë rezolutë nuk e gjej kurrësesi rrufe në qiell të hapur; as produkt të (pa) fuqisë së lobeve shqiptare në Washington DC (të cila/ët përtej protagonizmit folklorik prodhojnë produkte shumë të dobëta), aq më pak si: “si qokë të SHBA ndaj kryeministrit në detyrë Kurti apo si dhuratë pa-fuqisë së konkurrentëve të pushtetit në Prishtinë”, POR si: “përgjegjësi të shtuar të Prishtinës zyrtare (imediatikisht edhe për Tiranën) për të tejkaluar krizën politike, luftën staliniste për pushtet, si dhe rikthimin e besimit te demokracia funksionale, ardhmëria euroatlantike e Kosovës si dhe interesave kombëtare (fatmirësisht) të ndërthurur edhe me interesat e SHBA në rajon dhe Mesdhe”.
Prandaj, duke përsëritur përuljen për gjakun e derdhur në shekuj, si dhe nderimin për sakrificat sublime të shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të mos e shtojmë edhe këtë rezolutë historike, ose mbështetjen (për anëtarësimin e Kosovës në NATO) në murin e mirënjohjes kombëtare ndaj “çlirimtarëve të vërtetë të Kosovës”, edhe për vetë peshën kritike që ato/SHBA-të vijojnë ende të mbajnë jo vetëm për ardhmërinë euroatlantike të Kosovës, por edhe për bashkëjetesën paqesore dhe stabilitetin demokratik të rajonit.
Në shtesë, kjo rezolutë historike konfirmon Kosovën si qëndër të gravitetit/fortesë të ShBA-ve ndaj kundërshtarëve gjeopolitikë, ose armiqve potencialë (Kremlinit & Pekinit), shërben edhe si mesazh/ofertë Euroatlantike ndaj 4 vēndeve anëtare të NATO-s që nuk kanë njohur ende Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), duke nën/mirëkuptuar faktin që pa votën e qoftë njërit prej tyre, anëtarësmi i Kosovës në NATO mbetet gjithësesi mision i pamundur.
Ndaj posaçërisht dalldosjes të Vuçiç-it nga “marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh”, mbështetja e SHBA për rritjen e fuqisë mbrojtëse (modernizimin e FSK me raketa Javelin), përfshi nga kjo rezolutë për anëtarësimin në NATO, shërbejnë edhe si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj “armatosjes deri në dhëmbë të Serbisë”, me tanke, 18 Mig-29, 12 Rafale, Mi-35, raketa, dronë sulmi të gjeneratës se fundit etj!?. Gjithësesi, jo vetëm për oshilacionet e neo-millosheviçëve në Beograd, më duhet ta përsëris edhe më qartë se: “për sa kohë të ketë prezencë të SHBA (Bondsteel), agresioni ushtarak kundër sovranitetit të Kosovës (njëheresh përgjegjësi e KFOR-it), përveçse aventurë vetëvrasëse mbetet mision tërësisht i pamundur”.
Në vijim, gjeni edhe: “pesë gjetje dhe rekomandime gjeo-strategjike”:
1) Anëtarësimi në NATO, mbrojtjen e sovranit të Kosovës, si dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike (kombëtare) në rajon, 2 shtetet sovrane, pra RSh dhe Kosova, do mund t’i realizojnë vetëm duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA. Kështu, edhe për Enveristët e vetëmbrojtjes sovrane, ngrihet një pyetje e thjeshtë: “Nëse përkundërt të mbështetjes së SHB, konfirmohet tërheqja e trupave ushtarake Amerikane/NATO nga Kosova (që sigurisht një ditë do të ndodhë), kush është opsioni 2 i Prishtinës zyrtare për të mbrojtur integritetin teritorial dhe interesat gjeopolitike të kombit”!?
2) Prishtina zyrtare nuk duhet kurrësesi të ndërmarrë vendimmarrje që minojnë themelet dhe klimën e (mirë) besimit me “çlirimtarët e vërtetë”, pra me ShBA-të që ende mbajnë peshë kritike për paqen, sigurinë, stabilitetin demokratik, për ardhmërinë euroatlantike të Kosovës dhe interesat kombëtare.
3) Mbetet emergjencë nr. 1 ngritja e një “grupi të urtësh/wise group”, me personalitete/elita të mirënjohura dhe gjerësisht pranuara, që përtej luftës staliniste apo pazareve për pushtet, të përulen para interesave kombëtare dhe përgjegjësive shtetërore për ta jetësuar platformën: “2-shtete sovrane, 1- komb i vetëm”.
4) Për faktorët, aktorët dhe strategjistët/kolegët në Washington, do sugjeroja që perspektivën e dialogut Kosovë–Serbi ta para-kushtëzojnë jo me “deliret bolshevike të pushtetarëve që venë e vijnë”, por mbi një matricë masash të mirëbesimit reciprok (CSBM), me 3 kushtet e sipërpërmendura.
Së fundmi (5), besoj edhe më fort që kjo rezolutë, për rrjedhojë anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO, do të shërbejë jo vetëm si kontribut i shtuar për ndërtimin e paqes, bashkëjetesën paqësore, si dhe ardhmërinë euroatlantike (NATO/BE) të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe si “kështjellë e përparuar” për mbrojtjen e statusques si dhe promovimin e interesave amerikane në rajon dhe mesdhe.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare, Ballkanit si dhe marrëdhëniet me ShBA/NATO, Ish: zv/SHSHP, Këshilltar i Presidentit si dhe Themelues i Përfaqësisë së RSh në SHAPE/NATO!
