Përmes ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, BE-ja do të ndihmojë Shqipërinë në koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së në të 35 kapitujt e negociatave.
Bashkimi Evropian në Shqipëri ka nisur zyrtarisht projektin e mbështetjes për integrimin në BE (EUIS), një iniciativë prej 7.2 milionë eurosh, e cila synon të ndihmojë qeverinë shqiptare në avancimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Ky projekt është në përputhje me objektivin ambicioz të Shqipërisë, të përcaktuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian, për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.
Projekti do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për strukturat negociuese dhe të gjitha institucionet publike të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE. Përmes ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, BE-ja do të ndihmojë Shqipërinë në koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së në të 35 kapitujt e negociatave.
Ky program gjithëpërfshirës do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë të përshpejtojë integrimin në BE, duke e mbështetur vendin që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë para-anëtarësuese, si pjesëmarrja në programet dhe strukturat e BE-së. Do të zhvillohen programe trajnimi strategjike për të forcuar kapacitetet e administratës publike, jo vetëm për të çuar përpara me sukses procesin e negociatave, por edhe për të siguruar që institucionet shqiptare të jenë të përgatitura për të marrë përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin në BE. Për më tepër, qeveria do të përfitojë nga ekspertiza e dedikuar për zbatimin e Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të miratuar.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, riafirmoi angazhimin e fortë të BE-së për integrimin e Shqipërisë:
“Perspektiva evropiane për Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më reale. Pas hapjes së dy klasterave negociues me BE-në vitin e kaluar, dhe ndërsa vendi synon të hapë të gjithë klasterat deri në fund të këtij viti, puna për reformat duhet të përshpejtohet ndjeshëm. BE-ja është e gatshme të mbështesë planet ambicioze të Shqipërisë, përfshirë edhe përmes këtij projekti të dedikuar. Së bashku me vendet anëtare të BE-së, ne do të bëjmë maksimumin për të ndihmuar Shqipërinë jo vetëm të përmbyllë procesin e anëtarësimit, por edhe të përgatitet për përgjegjësitë dhe përfitimet që vijnë me anëtarësimin në BE” tha Gonzato.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, vlerësoi se Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me objektivin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027
“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e integrimit në BE. Që nga marrja e statusit të kandidatit në vitin 2014, Shqipëria ka punuar pa u ndalur për të përafruar politikat, institucionet dhe praktikat me standardet e BE-së. Sot, Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me objektivin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Teksa ecim përpara, vlerësojmë mbështetjen e BE-së në këtë moment kyç të procesit. Së bashku, mund të sigurojmë që Shqipëria jo vetëm të përmbushë standardet e nevojshme, por edhe të përshpejtojë progresin drejt anëtarësimit në BE”.
Mbështetje për Ndërgjegjësimin Publik dhe Komunikimin për BE-në
Anketat e fundit të opinionit, të porositura nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, tregojnë se 97% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin e vendit në BE. Megjithatë, këto sondazhe nxjerrin në pah gjithashtu një nivel të ulët të njohurive publike mbi procesin e anëtarësimit dhe mbi projektet e financuara nga BE-ja që janë në zhvillim në Shqipëri.
Për ta adresuar këtë problematikë, BE-ja në Shqipëri dhe qeveria shqiptare, përmes projektit EUIS, do të forcojnë komunikimin dhe transparencën mes qeverisë dhe aktorëve jo-shtetërorë, përfshirë shoqërinë civile, akademinë, bizneset, të rinjtë dhe qytetarët. Aktivitetet e përbashkëta informuese do të kenë qëllim shpjegimin e procesit të negociatave si dhe ndikimin e anëtarësimit në BE.
Një tjetër fokus i rëndësishëm do të jetë rritja e ndërgjegjësimit për Planin e Rritjes, i cili pritet të sjellë gati 1 miliard euro në Shqipëri përmes granteve dhe investimeve në infrastrukturë. Ky plan synon të zvogëlojë hendekun socio-ekonomik midis Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së përmes:
-Modernizimit dhe dixhitalizimit
-Forcimit të ekonomisë shqiptare dhe sundimit të ligjit
-Rritjes së konkurrencës ekonomike.
Këto përpjekje kanë për qëllim përgatitjen e Shqipërisë për t’u integruar plotësisht si në tregun rajonal ashtu edhe në tregun unik evropian, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke ofruar mundësi më të mira për arsimim dhe trajnim për qytetarët.
Kjo nismë ndërtohet mbi sukseset e programeve të mëparshme të mbështetjes së BE-së, të cilat kanë luajtur një rol kyç në përfundimin e procesit të screening dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë./K.K