Last Updated on 19/02/2025 by adminfjala
Koperniku lindi në Torun, një qytet në Poloninë veriore, buzë lumit Vistula. Babai i astronomisë moderne, ishte shkencëtari i parë evropian modern që propozoi se Toka dhe planetet e tjerë të rrotulloheshin rreth Diellit. Koperniku u lind në një familje tregtarësh, dhe pas vdekjes së babait të tij, xhaxhai i tij – që së shpejti do të bëhej peshkop – e mori djalin nën patronazhin e tij.
Ai i dha arsimimin më të mirë të kohës, dhe e edukoi për një karrierë kishtare. Në Universitetin e Krakovës, ai studioi artet liberale, duke përfshirë astronominë dhe astrologjinë, dhe më pas si shumë polakë të shtresës së tij shoqërore, u dërgua në Itali për të studiuar mjekësi dhe jurisprudencë.
Teksa studionte në Universitetin e Bolonjës, jetoi për një fare kohe në shtëpinë e Domeniko Maria de Novaras, astronomi kryesor i universitetit. Koperniku e ndihmoi Novarën në vëzhgimet e tij në qiell, dhe ky i fundit e njohu me kritikat ndaj astrologjisë dhe aspekteve të sistemit të Ptolemeut, i cili e vendoste Tokën në qendër të universit.
Koperniku studio më vonë në Universitetin e Padovës, dhe në vitin 1503 mori një doktoraturë në jurisprudencë. Ai u rrikthye në Poloni, ku u bë administrator i kishës dhe mjek. Në kohën e tij të lirë, iu përkushtua veprimtarive shkencore, të cilat ndonjëherë përfshinin vëzhgimet astronomike. Nga viti 1514, reputacioni i tij si astronom ishte i tillë, sa që u konsultua nga udhëheqësit e kishës që tentonin të reformonin kalendarin Julian.
Ndërmjet viteve 1508-1514, ai shkroi një traktat të shkurtër astronomik të quajtur zakonisht “Commentariolus” (Komentari i vogël), që hodhi bazat për sistemin e tij heliocentrik (me në qendër Diellin). Vepra nuk u botua sa ishte ai gjallë. Në të, Koperniku theksonte se ndërsa rrotullohej rreth diellit, Toka, rrotullohet çdo ditë edhe rreth boshtin të saj.
Për dekada, vepra e tij mbeti e panjohur. Vetëm në fillim të shekullit XVII-të, Galileo Galilei dhe Johan Kepleri, e zhvilluan dhe popullarizuan teorinë e Kopernikut, e cila për Galileun rezultoi në një gjykim për herezi nga ana e autoriteteve kishtare.
Kalendar
19 Shkurt 356 – Perandori Konstandini II, firmos një dekret për mbylljen e gjithë tempujve paganë në Perandorinë Romake.
19 Shkurt 1674 – Anglia dhe Holanda nënshkruajnë Traktatin e Uestminsterit, duke i dhënë fund Luftës së Tretë Anglo-Holandeze.
19 Shkurt 1913 – Pedro Laskurain bëhet president i Meksikës për vetëm 45 minuta. Ky është mandati më i shkurtër deri më sot i një presidenti në botë.
19 Shkurt 1954 – Politbyroja sovjetike e Bashkimit Sovjetik, urdhëron kalimin e rajonit të Krimesë nga Rusia tek Ukraina.
19 Shkurt 1959 – Mbretëria e Bashkuar i jep pavarësinë Qipros, akt që do të shpallet zyrtarisht më 16 gusht 1960.
19 Shkurt 1985 -Uilliam Shrëder, bëhet pacienti i parë që pajiset me një zemër artificiale.