Ka nisur puna për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Mamurras, një projekt që synon të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për banorët e zonës.
Ndërsa inspektoi punimet, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha se kanë filluar të shlyhen borxhet e akumuluara nga qytetarët.
“Jam e informuar nga Ministria e Financave se debitë e akumuluara nga qytetarët për furnizimin me ujë kanë filluar të shlyhen. Deri më sot, çdo shoqëri ujësjellësi krijonte detyrime të pashlyera, ndërsa tani vërehet një ndryshim, ku këto borxhe po shlyhen. Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, pasi tregon konsolidimin e sektorit të ujësjellësit dhe kanalizimeve”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se performanca e mirë e ndërmarrjeve sjell edhe paga më të larta për punonjësit.
Numri dy i qeverisë u shpreh se fokusi i investimeve gjatë këtij viti është tek investimet në zonat bregdetare, pasi pritet të ketë më shumë vizitorë se viti i kaluar./K.K