Mbi 80 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 11 majit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri më 24 shkurt.
Diaspora shqiptare në Greqi përbën 28% të aplikimeve për votim nga jashtë vendit, nga një total prej 227 mijë kërkesash të regjistruara deri më tani. Numri më i madh i aplikimeve vjen nga Italia, ku mbi 111 mijë shqiptarë kanë kërkuar të votojnë. Nga të dhënat e KQZ-së, 50 mijë shqiptarë në Greqi janë miratuar si votues, ndërsa 13 mijë kërkesa janë refuzuar për mungesë dokumentacioni.
Sipas Ministrisë Greke të Emigracionit, në janar 2024 rezultonin 277 mijë shqiptarë me lejeqëndrim të rregullt, duke përbërë 55.9% të të huajve në Greqi. Pavarësisht interesit të lartë, ritmi i regjistrimit mbetet ende i ulët. Afati për aplikim mbyllet më 4 mars, ndërsa partitë politike kanë shtuar përpjekjet për të nxitur emigrantët të regjistrohen dhe të marrin pjesë në votime.
Për të lehtësuar këtë proces, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa shtesë, duke ofruar shërbime të lëvizshme për pajisjen me dokumente identiteti në disa ishuj grekë. Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, në studimin “Diaspora në shifra 2020”, jashtë vendit jetojnë 1.68 milionë shqiptarë, që përbëjnë 37% të popullsisë.
Të dhëna jozyrtare sugjerojnë se ky numër ka arritur në 1.75 milionë në janar 2025. Ndërkohë, deri më 24 shkurt, sipas KQZ-së, 181,371 shqiptarëve u është miratuar kërkesa për votim, ndërsa 39,282 kërkesa janë refuzuar.
Qarqet me numrin më të madh të votuesve nga jashtë janë Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, Korça dhe Vlora. Në javët e mbetura, pritet që numri i aplikimeve të rritet, ndërsa emigrantët shqiptarë kanë vetëm disa ditë kohë për të përfunduar regjistrimin e tyre.