Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të gëzohen kur diçka vonohet për Shqipërinë. Ai ka thënë se këtë zakon të mësuar nga Sali Berisha duhet ta heqin, pasi nuk është në të mirë të tyre.
Rama ka theksuar se dritarja për në BE duhet shfrytëzuar, pasi është një mundësi që nuk është aty pafundësisht.
Sakaq, ai ka folur dhe për aeroportin e Kukësit, i cili është duke punuar për të lidhur disa kontrata, edhe për naftën në Shpirag ku janë duke kërkuar një mënyrë tjetër dhe me më pak kosto.
“Këto jashtënxjerrje që me mëngjes sikur t’ia kursenit vetes, do ishte mirë. Se jeni goxha burra, ca nga ju as burra nuk janë.
Aeroporti i Kukësit është i ndërtuar dhe operatori i Kukësit është duke punuar për të lidhur disa kontrata. Për sa i përket naftës në Shpirag, një nga kompanitë më të mëdha të botës zbuloi një rezervë, por kostoja bëhet shumë e lartë dhe jemi duke punuar për mënyra të tjera. Por mos u gëzoni kur diçka për Shqipërinë vonohet. Hiqeni këtë zakon që ju ka mësuar bufi i kënetës. Mos u gëzoni se jeni bijë nënash dhe baballarësh.
Ku e shikon ti që më ka zënë frika? Mua më zë frika që koha që kemi në dispozicion të mos shfrytëzohet maksimalisht. Kemi një dritare të hapur për të hyrë në BE. Është një dritare që është e hapur për ne, por që nuk do të jetë aty e hapur pafundësisht.
Ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht që të jemi të barabartë mes të barabartëve. Zoti na ka sprovuar duke pasur mbi kokë një sërë hajvanësh. Por tani është momenti për të menduar si shqiptar”, tha Rama./ S.M