Tirana zyrtare priti këtë të premte Konferencën e Komisioneve për Integrimin Europian. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali në fjalën e saj u shpreh se sa herë që Shqipëria ka qenë e lirë ka zgjedhur Europën.
Për këtë arsye ajo theksoi se vendi ynë ka mbështetjen më të madhe popullore për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Spiropali nënvizoi se Shqipëria nuk ka asnjë plan tjetër veçse integrimin në union. E për destinacionin europian të vendit ka konsensus të plotë nga të gjitha palët.
“Shqipëria nuk ka asnjë Plan B, por vetëm një plan A për të ardhmen e saj, Bashkimi Europian. Prandaj shumica dhe pakica në kuvend që nuk bien dakord as për datën në kalendar janë në një mendje dhe kanë konsensus të plotë për destinacionin europian të Shqipërisë”, tha Spiropali.
Shqipëria ka shpallur aktualisht anëtarësimin brenda vitit 2030 si objektiv strategjik dhe përfundimin e negociatave brenda 2027-ës. Një qëllim i arritshëm, sipas Spiropalit e për këtë arsye vendi po pret ftesën për hapjen e grup-kapitulli të katërt.
“Shqipëria është vendi kandidat që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes europiane”, tha Spiropali.
Sa i përket Konferencës së Komisioneve, Spiropali theksoi se duhen pranuar edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, pasi do të jenë një vlerë e shtuar.
“Shqipëria beson se një ndryshim i shpejtë i rregullores është i domosdoshëm dhe duhet të realizohet pa vonesë”, tha ajo.
Sipas saj edhe BE ka nevojë për të rishikuar diçka në qëndrimet e tij ndaj procesit të zgjerimit. Sipas Spiropalit bëhet fjalë për të drejtën e vetos dhe çështjet bilaterale mes vendeve të BE dhe vendeve kandidate, “pasi kanë vështirësuar artificialisht shpejtësinë integruese të vendeve të veçanta”. Si shembull mori Maqedoninë e Veriut./ S.M