Last Updated on 07/03/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama e konsideron goditjen e figurave të larta politike nga SPAK si një zhvillim që ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Rezultatet e Reformës në Drejtësi sipas shefit të qeverisë e kanë afruar edhe më shumë vendin me Bashkimin Europian
“Drejtësia shkon pas dhe shkon e ndjekë figura të profilit të lartë, nuk është e përsosur, ka mjaft disavantazhe, por është hera e parë në histori, që kemi njerëz politikisht të fuqishëm që shkojnë përpara një prokurori dhe gjyqtari të pavarur, kurrë nuk ka ndodhur, qysh nga 1912, nga pavarësia jonë, dhe pak vite më parë kur finalizuam reformën në drejtësi, me ndihmë e BE, kurrë nuk kishim parë një ministër apo individ të profilit të lartë lidhur me pushtetin politik, të shkojë para gjykatës dhe jo më të dënohet dhe tashmë po i shohim këto gjëra, pa BE harrojini këto gjërat”, shprehet Rama.
Rama ka përsëritur se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian është objektiv i panegociueshëm.
“Pse jam kaq i fiksuar për ta çuar Shqipërinë në BE. Ka gjëra që nuk do të jenë të sigurta, të pakthyeshme. Ndaj kur më pyesin ç’plan B ka Shqipëria, them anëtarësimi në BE”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë duke thënë se jo vetëm do të bëjë Amerikën më të madhe, por do të zgjojë edhe Evropën.
“Evropa ka më pak miq sot se sa përpara agresionit rus dhe kjo është diçka që duhet kuptuar, duhet reflektuar pse ka ndodhur kjo. Evropa u ngrit për gjënë e duhur duke qëndruar krah Ukrainës. Por pse ka më pak miq? Po flasim për miq që nuk janë në këtë pjesë të botës. Ndoshta Zoti i shpëtoi jetën Trump jo vetëm për ta bërë Amerikën të madhe sërish por edhe për ta zgjuar Evropën dhe për t’i thënë asaj që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj sepse nuk është njësoj”, tha shefi i qeverisë.
Edi Rama ka pritur për herë të parë, fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh” një nga nderimet më të larta europiane për personalitetet me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës, për dialogun mbi rolin e rinisë në të ardhmen e kontinentit./ S,M