Last Updated on 09/03/2025 by adminfjala
Në një kohë kur shumë pensionistë përballen me sfida të mëdha financiare për shkak të inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, rritja e pensioneve është një temë që ka shkaktuar shumë diskutime. Por si mund të përmirësohet situata për ta dhe a do të ketë një bonus shtesë që do t’i mbështesë ata?
Eksperti i ekonomisë, zoti Rron S. Shkamborri, zbërthen detajet e fundit rreth planifikimeve për rritjen e pensioneve dhe mundësisë për mbështetje shtesë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai ndan për publikun informacionin e fundit, duke përfshirë mundësinë e një bonus shtesë për pensionistët dhe masat që po ndërmerren për të siguruar një të ardhme më të sigurt për ata që ende nuk kanë dalë në pension. Po ashtu, Z. Shkamborri shpjegon gjithashtu marrëveshjen e re me Italinë, e cila pritet të sjellë përfitime për mbi 500 mijë shqiptarë që kanë kontribuar për sigurimet shoqërore atje.
-Zoti Shkamborri, ka pasur diskutime për një rritje të pensioneve këtë vit. Çfarë mund të presin pensionistët?
Shiko mendoj se po, qeveria ka planifikuar një indeksim të pensioneve për të mbuluar inflacionin dhe për të përmirësuar mirëqenien e të moshuarve. Në diskutim janë skema që do të sjellin një rritje graduale, në varësi të kategorisë së pensionit. Objektivi është që asnjë pension të mos mbetet prapa kostos reale të jetesës.
-A do të ketë një tjetër bonus për pensionistët, si ky që po shpërndahet tani apo si ai i fundvitit?
Po, ka sinjale pozitive se edhe këtë vit do të ketë një mbështetje shtesë, veçanërisht për festat ose për të lehtësuar kostot e jetesës. Për momentin, diskutimet janë në fazën finale, dhe shpresojmë që kjo të konfirmohet sa më shpejt. Ky bonus synon të ndihmojë pensionistët në muajt më të vështirë financiarisht.
-Çfarë këshillash do t’u jepnit atyre që ende nuk kanë dalë në pension, por duan të sigurojnë një të ardhme më të mirë?
Është shumë e rëndësishme që kontribuuesit të deklarojnë të ardhurat reale dhe të sigurojnë sa më shumë vite pune të dokumentuara. Gjithashtu, ata që kanë mundësi mund të bëjnë pagesa vullnetare për periudha të caktuara për të rritur vlerën e pensionit. Një tjetër opsion është që të zgjasin vitet e punës, nëse e kanë mundësinë, për të përfituar nga skemat e pensioneve më të larta. Ky është momenti që autoritetet të shohin mundësinë e reformave që do t’u garantojnë pensionistëve një jetë më dinjitoze dhe siguri ekonomike më të madhe.
-Ndërkohë Senati italian ka miratuar marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë, ku përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Kur hyn në fuqi?
Brenda këtij viti do të nisë zbatimi i këtij procesi, dhe ky është një lajm shumë i mirë. Fillimisht, do të fillojë nga mesi i vitit dhe do të marrë në konsideratë çdo qytetar shqiptar që ka kontribuar dhe ka sigurime shoqërore për efekt pensioni.
-A mund të na sqaroni procedurën se si qytetarët shqiptarë do të mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje?
Nëse një qytetar ka 13 vite punë në Itali, por ka vendosur të jetojë në Shqipëri, ai mund të bëjë kërkesën për pension në Shqipëri, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Pastaj ky i fundit merr kërkesën dhe ia transmeton kolegëve italianë. Qytetarët nuk do të kryejnë vetë ecejake, por institucionet përkatëse do të merren me to. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët që jetojnë në Itali; ata mund të bëjnë kërkesën pranë autoriteteve italiane, dhe ne do ta trajtojmë si një kërkesë të bërë në Tiranë. Marrëveshja ka shndërruar zyrat respektive si zyrat e veta, duke mundësuar kryerjen e shërbimeve për italianët dhe anasjelltas, pa kosto shtesë. Kjo është një marrëveshje shtetërore me afat të pacaktuar, e cila ka përcaktuar edhe mënyrën e zgjidhjes së ankesave./ S,M