Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 9 shkurt 2025, ka shkaktuar një ngërç në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit për shkolla, kopshte dhe çerdhe në kryeqytet, duke qenë se kjo kompetencë është ekskluzivitet i kryetarit të bashkisë.
Si pasojë, projektet e reja për ndërtimin e objekteve arsimore janë pezulluar që nga data e arrestimit. Disa prej godinave kryesore që do të jenë të bllokuara janë ndërtimi i shkollës së mesme në Sauk, ndërtimi i shkollës 9-vjeçare dhe të Mesme në Rrugën “3 Dëshmorët” në Yzberisht, si dhe ndërtimet e reja të kopshteve dhe çerdheve në Kashar.
Para arrestimit, Veliaj kishte njoftuar projekte të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të Tiranës. Në dhjetor 2024, ai deklaroi se gjatë një periudhe 9-vjeçare ishin ndërtuar 109 çerdhe dhe kopshte, si dhe 45 shkolla të reja.
Gjithashtu, në gusht 2024, Veliaj njoftoi hapjen e disa shkollave të reja, përfshirë “Avni Rustemi”, si dhe kopshte dhe çerdhe në zona periferike si Fresku, lagjja “Rilindja” dhe zona e Liqenit të Thatë./k.k