Last Updated on 16/04/2025 by adminfjala
Djali i 66-vjeçarit, Flamur Mane ka folur në lidhje me plagosjen që ndodhi ditën e sotme me armë gjahu, nga një 65-vjeçar, i cili shkoi për t’i grabitur bagëtitë.
Për “BalkanWeb”, ai është shprehur se në vendngjarje kanë qenë dy persona, saktësisht Dedë Dedaj 65 vjeç dhe djali i tij Xhovalin Dedaj.
Sipas tij, personi që ka goditur me armën e gjahut ka qenë djali, Xhovalin Dedaj, ndërsa thekson se në pjesën e fytyrës i kanë ngelur edhe saçmat.
Gjithashtu, thekson se ky është një konflikt që ka nisur 10 vite më parë dhe sipas tij shpeshherë i kanë kryer vjedhje të ndryshme në stanin e tij.
“Babi është goditur për t’u vrare me çifte në fytyrë, ku i kanë ngelur edhe saçmat. Është dashur ndërhyrja në spitalin Ushtarak për heqjen e tyre. Konflikti ka ndodhur që 10 vite më parë. Më pas na kanë vjedhur vazhdimisht, na kanë vjedhur kalin, ngjarje e raportuar në polici, na kanë helmuar pulat. Më pas djali i vogël i Fatmirit, Rifat Deda ka sharë babanë tim e më pas ka goditur vëllanë tim i cili jeton në Itali. Ngjaja ka ndodhur në fshatin Plug, e dinë të gjithë”, është shprehur ai.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Plug të Lushnjës, ku një tentativë grabitjeje ka përfunduar me përleshje dhe plagosjen e një personi.
Autori i dyshuar ishte i armatosur me një armë gjahu, e cila është përdorur gjatë konfliktit, duke lënë të plagosur Flamur Manen.
I dëmtuari është transportuar fillimisht në spitalin e Lushnjës dhe më pas është dërguar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar./E.S