Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta Topjana lidhur me mospërputhjen e shifrave për votën e diasporës në faqen zyrtare të KQZ, e cila ka ngjallur reagime.
Sipas shifrave ka më shumë vota të numëruara, se sa vota janë në total.
Celibashi tha se të dyja shifrat janë të sakta, por sipas tij shifra më e ulët tregon shifrën e zarfave të skanuar, ku mungon zarfi B.
“Numrat që janë aty janë shifra të vërteta, por pasqyrojnë të dhëna që nuk janë në kontradiktë me njëra tjetrën. Numri i fletëve të votimit të vlerësuara, me shifrën që rezulton si më e ulët në faqen e internetit të KQZ, kjo e fundit ka të bëjë me ato zarfa që janë të administruar në sistemin elektronik të KQZ në mënyrë automatike.
Por ka jo pak dërgesa të votuesve shqiptarë në KQZ që nuk janë bërë në mënyrën e duhur. E kanë dërguar fletën e votimit të futur në zarfin A dhe jo në zarfin B, por si votë ka mbërritur në KQZ”,-tha Celibashi. m.p.