Everton ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e aventurës së Armando Brojës me klubin, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
Sulmuesi shqiptar ishte pjesë e Evertonit në formë huazimi nga Chelsea, ndërsa marrëveshja mes palëve përfundon muajin e ardhshëm.
Në njoftimin e bërë publik këtë të hënë, klubi anglez konfirmoi largimin e Brojës, së bashku me tre lojtarë të tjerë: Jack Harrison, Jesper Lindstrøm dhe Orel Mangala, të cilët gjithashtu do të rikthehen në klubet e tyre përkatëse pas përfundimit të huazimit.
“Everton konfirmon se Jack Harrison, Jesper Lindstrøm, Orel Mangala dhe Armando Broja do të rikthehen te klubet e tyre përkatëse sapo të përfundojnë kontratat e huazimit muajin e ardhshëm. Faleminderit për kontributin dhe suksese në të ardhmen, djem!” – thuhet në deklaratën e klubit.
Armando Broja iu bashkua Evertonit në ditën e fundit të merkatos së dimrit dhe zhvilloi gjithsej 11 ndeshje me fanellën e “bluve”, por forma e tij u ndikua nga dëmtimet e shpeshta, që nuk i lejuan të shkëlqente plotësisht në Premier League.
Gjithashtu, Everton njoftoi se ka nisur bisedimet për të ardhmen e Charly Alcaraz, i cili është i huazuar nga Flamengo deri në fund të sezonit 2024/25. m.p.