Last Updated on 07/06/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në vendet e paqta gazetarët anatemohen. Në vendet e zjarrta ata vriten.
Në këtë botën tonë ku ndryshku mbulohet me bojë, – që duket se po evoluon me shpejtësi marramendëse, por që shpesh hesht përballë së vërtetës – janë gazetarët ata që përpiqen ta thonë me zë të lartë. Edhe kur ky zë shndërrohet në rënkim. Edhe kur e vetmja mbrojtje që kanë është një bllok shënimesh, një kamerë, apo një jelek me mbishkrimin PRESS. Ata nuk mbajnë armë, por raportojnë për to. Nuk urdhërojnë sulme, por ndodhen në epiqendër të tyre. Dhe shpesh, çmimi për të dëshmuar të vërtetën është jeta.
Tre gazetarë palestinezë u vranë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë pas një sulmi ajror izraelit në oborrin e Spitalit Arab Al-Ahli në qytetin e Gazës. Kështu u raportua në lajmet e fundit. Spitalet janë, sipas ligjeve ndërkombëtare, vende të shenjta në kohë lufte. Por edhe ato, në këtë luftë të përgjakshme, nuk kanë mbetur të paprekura.
Sipas një statistike të autoriteteve lokale, numri i gazetarëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës ka arritur në 225. Dyqind e njëzet e pesë zëra që heshtën përgjithmonë. Dyqind e njëzet e pesë sy që nuk do të mund të dokumentojnë më.
Mund të isha dhe unë mes tyre, por jo për fat. Sepse jam shtrënguar fort pas një tavoline në një zyrë në qendër të Tiranës dhe më së shumti ankohem për ajrin e kondicionuar. Ndaj, shpeshherë, vetja më duket si një burokrat i rëndomtë. Sepse nuk jam në terren. Dhe gazetari i vërtetë është ai që ndeshet në terren me të keqen dhe nuk e ka humorin në varësi të fuqisë ngrohëse apo ftohëse të kondicionerit.
Secili prej gazetarëve të vrarë në Gaza kishte një histori. Një familje që priste kthimin e tyre. Një betejë personale për të rrëfyer të vërtetën. Ata nuk ishin vetëm reporterë, por dëshmitarë të së pamendueshmes, të përkushtuar për të treguar vuajtjen, rrënimin, shpresën e zbehur dhe forcën njerëzore për të mbijetuar. Ishin ura mes popujve dhe botës, zëdhënës të atyre që nuk mund të flasin dot, kamera që regjistronin përpara se bota të largonte sytë.
Vdekja e tyre nuk është vetëm humbje për familjet, kolegët dhe vendin e tyre. Është një humbje për të gjithë ne. Sepse me secilin gazetar që bie në luftë, bota bëhet më e verbër, më e shurdhët dhe më e pafuqishme për të kuptuar ç’po ndodh në të vërtetë.
Nuk mund të ketë liri pa të vërtetën. Nuk mund të ketë drejtësi pa ata që e dëshmojnë padrejtësinë. Dhe nuk mund të ketë paqe pa ata që guxojnë të ecin nëpër rrënoja për të rrëfyer se çfarë po shkatërrohet.
Në çdo linjë të shkruar, në çdo video të xhiruar në errësirën e bunkerit apo në dritën mizore të bombave, ata lanë gjurmë. Lanë amanet: të mos harrohen. Të mos harrohet e vërteta që deshën të tregojnë. Dhe ne, lexuesit, kolegët, njerëzit e lirë – u kemi një borxh që nuk shuhet me lot: të mos heshtim.
Këta janë gazetarët që bien në krye të detyrës. Emri i tyre është kujtesë. Është zëri i gjallë i së vërtetës, që – ndoshta me pak patetizëm të gjithë biem dakord se – nuk do të shuhet kurrë.
