Last Updated on 10/06/2025 by adminfjala
Nga Fejzo Subashi
Ekonomia është ajo që tregon jo vetëm potencialin e një vendi, apo zhvillimin e tij, por dhe se çfarë politika dhe politik ka ai Vend.
Ka kohë që në Shqipëri fjala “zhvillim” lakohet gjithandej: në ekrane, në dokumente strategjike, në premtime politike. Por, ekonomia dhe zhvillimi i vërtetë i një vendi nuk është as asfalt, as fasadë, as luks urban i ndërtuar mbi fshatra të zbrazura dhe toka të djegura. Një ekonomi që nuk ndërtohet mbi rrënjë të thella dhe të gjalla rurale, është një kullë qelqi mbi rërë e brishtë dhe e pashpirt, se për shpresë, apo të ardhme as që bëhet fjalë.
Ekonomia rurale nuk është dytësor, aq më keq të jetë anakronike. Ajo është themeli, për çdo ekonomi të një vendi.
Në shumë vende europiane që sot quhen modele të zhvillimit, bujqësia dhe zonat rurale janë subvencionuar, jo vetëm me projekt, strategji dhe program, por me dashuri, vizion dhe durim. Jo për nostalgji, apo me qëllim për t’i mbajtur “gjallë” me frymë artificiale, por për t’i kthyer në motorë realë të ekonomisë: prodhues ushqimi, burim energjie, turizëm cilësor, dhe trashëgimi kombëtare.
Në Shqipëri, për ekonomin rurale jo vetëm që nuk ka qenë prioritet, ndërkohë, kjo ekonomi dhe fshati është lënë në mëshirë të fatit. Referuarë statistikave një në dy të rinj që ikin, janë nga zona rurale. Një në tre toka bujqësore nuk punohet. Infrastruktura është minimaliste, për të mos thënë që nuk ekziston, ki si rezultat sot ka fshatra që janë harruar, sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Institucionet financiare, bankat, investitorët, madje edhe universitetet, e trajtojnë fshatin si një relike, jo si një mundësi dhe potencial i madh ekonomik dhe pjesë kryesori e motrorit të zhvillimit dhe ecurisë së vendit. Sjellja, qasja dhe trajtimi që o është bër fshatit dhe ekonomisë rurale, është padrejtësia më e madhe ekonomike dhe vizionare që i është bërë këtij vendi.
Elita që lind nga harresa e fshatit, nuk është elitë, por thjeshtë është artificë.
Nëse nuk investojmë në ekonomi rurale, nuk mund të flasim për ekonomi elitare. Elita e vërtetë nuk ndërtohet në zyra me ajër të kondicionuar, por mbi punën e atyre që prodhojnë, që mbjellin, që ruajnë territorin, natyrën dhe identitetin. Pa këto, edhe “shkenca” ekonomike bëhet teori bosh. Pa këta njerëz, edhe metropolet janë qytete pa gjak.
Fshati nuk është thjesht një realitet ekonomik është një vlerë kombëtare.
Kur e zhvillon, krijon ekuilibër. Kur e braktis, hap gropa. Ndaj është koha të flasim ndershmërisht: pa një strategji të re për bujqësinë, turizmin rural, agropërpunimin, dhe ruajtjen e komuniteteve vendase, Shqipëria nuk do të ketë ekonomi moderne. Do të ketë vetëm pasuri të përqendruar dhe varfëri të përhapur.
Pa ekonomi rurale, nuk ka ekonomi elitare. Ka vetëm fasadë dhe dështim.
Tiranë më 10.06.2025