Last Updated on 16/06/2025 by adminfjala
Nga Fejzo Subashi
Dasma e Aleks Soros dhe Huma Abedin , e cila mori shumë vëmëndje në këtë fundjavë, nuk ishte thjesht një bashkim privat mes dy individëve me emra të mëdhenj. Ishte një paradë simbolike e një elite që jeton në një univers paralel me realitetet e njerëzve të zakonshëm. Kur mbarë njerëzimi po përballet me pasiguri të mëdha luftëra, polarizim, ndryshim klimatik, papunësi dhe zhgënjim ndaj institucioneve elitat liberale perëndimore festojnë në mënyrë hermetike, duke forcuar ndjesinë se kanë humbur kontaktin me botën reale.
Në këtë dasmë u panë figura politike që dikur ngjallnin shpresë për ndryshim: Hillary Clinton, Kamala Harris, Nancy Pelosi. Por sot përfaqësojnë një establishment që nuk di të dëgjojë. Mes tosteve të organizuara nga politikanë e editorë modes, mes avionëve privatë dhe veshjeve të qëndisura me iniciale, kjo ngjarje duket më shumë si një version modern i Oborrit të Versajës, sesa një përkujtesë për vlerat që predikojnë.
Edhe prania e Kryeministrit Edi Rama, në këtë atmosferë luksi dhe propagande, është tregues i qartë i pozicionimit të tij: më pranë klubeve të elitës globale, sesa realitetit shqiptar që përpiqet të arrijë fundin e muajit. Toasti i tij nuk është vetëm për çiftin, por për përkatësinë ndaj një sistemi të mbyllur, që shpërblen retorikën, jo shërbimin. Këto dasma të këtyre individëve nuk bëjnë më lajm dhe nuk është problem sepse janë kaq luksoze, por sepse kjo elitë është shkëputur nga çdo përgjegjësi morale, sociale dhe politike. Në vend që të përfaqësojë bashkimin e dy kulturave, ajo është kthyer në një demonstrim të pastër pushteti dhe përçmimi të heshtur ndaj botës që i sheh nga jashtë gardheve të Hamptons.
Në fund, ndoshta këto dasmë nuk do mbahen mend për dashurinë, por për simbolikën e një bote që nuk pyet më për ne, por që pret që ne ta duartrokasim atë.
Tiranë më 16.06.2025./kb