Last Updated on 26/06/2025 by adminfjala
Në fjalimin e tij të parë që nga shpallja e armëpushimit midis Iranit dhe Izraelit, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i bëri thirrje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se Teherani “nuk do të dorëzohet kurrë”.
Në një deklaratë këtë të enjte Khamenei, i cili vetë ishte objektiv gjatë konfliktit 12-ditor, shpalli fitoren e Iranit ndaj Izraelit dhe SHBA-së. Ai u përgjigj ashpër ndaj kërkesës së Trump për “dorëzim pa kushte” të bërë javën e kaluar, duke e cilësuar atë si një shfaqje të së vërtetës së qartë për qëllimet amerikane ndaj Iranit.
“Kjo nuk ka të bëjë me programin tonë bërthamor. Kjo ka të bëjë me dorëzimin e Iranit… Amerikanët kanë pasur një problem themelor me Iranin Islamik që nga revolucioni ynë,” tha Khamenei, duke theksuar se dorëzimi “nuk do të ndodhë kurrë”.
Në fjalimin 13-minutësh, ai shmangu diskutimet e thella mbi dëmin e shkaktuar në centralet bërthamore iraniane dhe për bisedimet e ardhshme me SHBA-në, ndërsa akuzoi presidentin amerikan për ekzagjerim të shkallës së dëmit.
Khamenei gjithashtu nuk bëri të qartë nëse Irani do të marrë pjesë në bisedimet që pritet të zhvillohen javën e ardhshme, duke u përpjekur të përforcojë ndjenjën e unitetit kombëtar mes iranianëve, të cilët pas dekadash ndarje politike, kanë shfaqur solidaritet kundër sulmeve izraelite.
Qindra qytetarë iranianë, përfshirë figura opozitare dhe aktivistë kurdë të burgosur, u rreshtuan publikisht këtë muaj në kundërshtim me veprimet izraelite dhe amerikane ndaj vendit të tyre. m.p.