Papa Papa Leoni XIV ka deklaruar se nuk kishte si qëllim të hynte në debat me presidentin amerikan Donald Trump, pas komenteve të tij për “tiranët” që shpenzojnë miliarda në luftëra.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në bordin e avionit drejt Angolës, Ati i Shenjtë sqaroi se fjalimi i tij ishte përgatitur dy javë më parë, shumë përpara se Trump të reagonte ndaj tij. Sipas Papës, interpretimi se ai po përpiqej të përballej me presidentin amerikan nuk është i saktë dhe nuk përbën interes për të.
Përplasja mes dy figurave erdhi pasi Trump e kritikoi ashpër Papën në fillim të javës, duke e cilësuar “të dobët në krim dhe të dëmshëm për politikën e jashtme”. Këto deklarata erdhën në një moment kur Papa kishte shprehur shqetësim për operacionet ushtarake dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, nënpresidenti amerikan JD Vance reagoi më i moderuar, duke thënë se është mirënjohës për sqarimet e Papës dhe duke theksuar se shpesh narrativa mediatike e ekzagjeron konfliktin.
Gjatë një fjalimi në Kameruni, Papa Leo kritikoi liderët botërorë që, sipas tij, shpërfillin faktin se miliarda dollarë shpenzohen për luftëra, ndërsa mungojnë fondet për shëndetësi, arsim dhe rindërtim. Ai paralajmëroi për një cikël të pafund destabilizimi dhe dhune, veçanërisht në rajone të prekura nga konfliktet.
Komentet e tij u interpretuan nga disa si një referencë ndaj politikave të administratës amerikane, por Papa këmbënguli se mesazhi i tij ishte i përgjithshëm dhe me fokus moral.
Vizita e Papës në Afrikë përfshin 11 qytete në katër vende dhe konsiderohet një nga udhëtimet më të rëndësishme të tij ndërkombëtare, duke reflektuar peshën në rritje të katolicizmit në kontinent, ku jeton mbi një e pesta e besimtarëve katolikë në botë./mxh
