Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta, ndërsa Irani deklaron se mban nën kontroll të plotë Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht asaj që e cilëson si bllokadë detare nga Shtetet e Bashkuara.
Kryetari i Parlamentit iranian dhe negociatori i lartë, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se Teherani është i gatshëm të reagojë nëse përshkallëzohen tensionet. Ai rrëfeu se gjatë një komunikimi me delegacionin amerikan në Pakistan, kishte paralajmëruar për pasoja të menjëhershme në rast afrimi të mëtejshëm të forcave amerikane.
Sipas tij, pala amerikane kishte kërkuar vetëm 15 minuta kohë për të dhënë urdhër tërheqjeje, çka sipas Qalibaf tregon seriozitetin e situatës në terren.
Autoritetet iraniane paralajmërojnë se mund të vendosin kufizime mbi qarkullimin në Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës, nëse bllokada amerikane vijon.
Pak ditë më parë, Irani kishte njoftuar rihapjen e përkohshme të kësaj rruge detare, pas një armëpushimi 10-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Libanit. Konflikti shpërtheu pasi grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, iu bashkua luftimeve në fillim të muajit mars, duke nxitur ndërhyrjen ushtarake izraelite në jug të Libanit.
Megjithatë, të shtunën, komanda e forcave të armatosura iraniane deklaroi se kalimi në Ngushticën e Hormuzit është rikthyer nën kontroll të rreptë ushtarak iranian, duke akuzuar SHBA-në për shkelje të përsëritura dhe veprime që i cilësoi si “pirateri”.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore Amerikane konfirmoi se forcat e saj po zbatojnë një bllokadë detare ndaj Iranit, por nuk dha detaje mbi zhvillimet më të fundit në zonë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet në një nga pikat më të ndjeshme strategjike në botë./mxh
