Last Updated on 01/07/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në një mëngjes të qetë të vitit 1646, ndërsa Evropa ende shëronte plagët e luftërave fetare dhe mendimi shkencor po përpiqej të çlirohej nga prangat e dogmës, në qytetin Leipzig të Saksonisë lind Gottfried Wilhelm Leibniz. Ai nuk do të ishte thjesht një fëmijë tjetër në mesin e gjermanëve protestantë, por një nga ata njerëz të rrallë që historia i përmend me epitetin e pamerituar “gjeniu i fundit universal”. E vetmja gjë që ai nuk bëri ishte të ndalonte – nga filozofia te matematika, nga logjika te diplomacia, nga historia te teologjia, dhe, po – deri te gjuha shqipe…
…Gottfried Wilhelm Leibniz është i njohur kryesisht si krijuesi i kalkulusit modern – njëkohësisht me Newton-in, – dhe si babai i aritmetikës binare – themeli mbi të cilin qëndron arkitektura e gjithë teknologjisë digjitale sot. Por më pak e njohur për lexuesin shqiptar është lidhja e tij e thellë dhe e ndërgjegjshme me gjuhën shqipe.
Në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës, Leibniz i kthehet me pasion një studimi të rrallë për kohën: prejardhjes së gjuhëve dhe në mënyrë të veçantë, gjuhës shqipe, që në atë kohë trajtohej me paragjykime të thella dhe me keqkuptime të rrënjosura në folklorin akademik të Europës. Për shumë studiues të asaj kohe, shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, merrej si e mirëqenë se ishte një dialekt sllav, apo në rastin më të mirë, një degë e varfër e greqishtes së lashtë ose latinishtes.
Leibniz ishte i pari që e hodhi poshtë këtë ide.
Me mendje të kthjellët dhe vështrim të pavarur, ai argumentoi se shqipja nuk i përkiste as familjes sllave, as asaj greke, as romane, por ishte një gjuhë më vete, me rrënjë më të thella dhe më të lashta – ndoshta, vazhdim i drejtpërdrejtë i ilirishtes. Në një kohë kur koncepti i “familjeve gjuhësore” ishte ende në formim e sipër, Leibniz dallohet si një nga të parët që përkufizoi se gjuhët semite (si hebraishtja dhe arabishtja) dhe ato finno-ugrike (si hungarishtja dhe finlandishtja) nuk ishin të lidhura me gjuhët indoevropiane – dhe se shqipja kishte një vend të veçantë brenda këtij peizazhi gjuhësor.
Madje, ai shkon më tej: kërkon lidhje të shqipes me gjermanishten e vjetër, dhe nëpërmjet saj, me keltishten e lashtë, duke vënë në lëvizje hipoteza që më vonë do të ndihmonin në formimin e studimeve krahasuese të gjuhëve europiane.
Por pse e tërhoqi Leibnizin pikërisht gjuha shqipe, kjo gjuhë “e vogël”, e folur në male dhe fshatra të panjohura të Ballkanit?
Për të, shqipja nuk ishte thjesht një objekt studimi. Ishte një çelës për të kuptuar vetë strukturën e gjuhës njerëzore. Në letërkëmbimet e tij me intelektualë evropianë të kohës, ai thekson nevojën për të mbledhur fjalë shqipe, për të dokumentuar morfologjinë dhe fonetikën e saj, dhe për të ruajtur këtë gjuhë nga rreziku i përbuzjes ose harresës.
Nëse matematika i dha Leibnizit pavdekësinë si themelues i një sistemi që mbështet kompjuterët e sotëm, atëherë për shqiptarët, ai duhet të kujtohet edhe si një nga etërit shpirtërorë të albanologjisë. Ai nuk foli shqip. Nuk vizitoi asnjëherë Shqipërinë. Por vizioni i tij për rëndësinë e shqipes i parapriu me shekuj interesit shkencor europian ndaj një gjuhe që për shumë studiues më vonë do të quhej “fosil gjuhësor”, “gjuhë kyçe për të kuptuar indoevropianishten”, ose “strehë e fjalëve të humbura të Europës së lashtë”.
Në një kohë kur shumë mendje ndjekin modën akademike apo vështrimin e perandorive, Leibniz zgjodhi të shikojë andej nga nuk shihte askush. Dhe pikërisht për këtë, gjuha shqipe do t’i mbetet përgjithmonë mirënjohëse.