Last Updated on 04/07/2025 by adminfjala
Supermarketet shqiptare po mbushen gjithnjë e më shumë me produkte të huaja, ndërsa fermerët po falimentojne, duke kyçur fermat.
Nga mbi 498 mijë lopë në vitin 2014 në vetëm 283 mijë në vitin 2024, Shqipëria po përjeton një nga krizat më serioze në blegtorinë e saj.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lopëve të qumështit ka rënë me mbi 43% në dhjetë vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit 2023, u shënua një rënie me 11.5%, shifër që ekspertët e bujqësisë e cilësojnë si alarmante për të ardhmen e prodhimit vendas të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Në të njëjtën kohë, raftet e supermarketeve në Shqipëri janë gjithnjë e më të mbushura me produkte të importuara, qumësht pluhur, djathë të pasterizuar, gjalpë industrial, shpesh me origjinë nga vende si Hungaria, Serbia, apo Italia.
Ky shqetësim është ngritur dhe nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo akuzon qeverinë se në 12 vite qeverisje ka shkatërruar bujqësinë, ndërsa tokat janë lënë të shkretuara për shkak të mungesës së subvencioneve dhe taksave të larta në bujqësi.
Sipas saj produktet “Made in Albania” janë duke vdekur dhe t’i japësh fëmijëve një gotë qumësht vendas te freskët është bërë luks kohët e fundit.
Por cfare po ndodh realisht?
Fermerët shqiptarë deklarojnë se nuk arrijnë më të përballojnë koston e mbajtjes së një lope. Çmimi që i ofrohet për një litër qumësht shpesh nuk mbulon as ushqimin bazë të kafshës, për të mos folur për shpenzimet e tjera si ilaçet, energjia apo puna.
“Për një litër qumësht marrim 50–60 lekë. Kjo është më pak se çfarë na kushton ta prodhojmë,” deklarojnë vetë fermerët, duke i detyruar t’i shesim lopët njëra pas tjetrës.
Një tjetër arsye që ka ndikuar në këtë krizë, që theksohet dhe nga Jorida Tabaku është mënyra e trajtimit fiskal.
Ndërsa TVSH për produktet e importuara është e ulët, fermerët vendas nuk përfitojnë ndihma të mjaftueshme nga shteti.
Për më tepër, Shqipëria importoi mbi 31 mijë tonë produkte qumështi gjatë vitit të fundit , një sasi që mbulon një pjesë të madhe të konsumit kombëtar.
Nëse ky trend vijon, ekspertët paralajmërojnë se Shqipëria mund të humbasë përfundimisht zinxhirin e prodhimit të qumështit vendas, që përfshin jo vetëm fermerët, por edhe stabilimentet përpunuese, punëtorët e fshatit dhe vetë kulturën e konsumit tradicional.
Në një treg ku çmimi dhe reklama dominojnë mbi cilësinë dhe origjinën, e ardhmja e qumështit vendas është në pikëpyetje.
Pa ndihmë konkrete nga shteti dhe pa ndërgjegjësim të konsumatorëve, rënia e numrit të lopëve do të thotë jo vetëm më pak prodhim, por humbje e një tradite dhe vetëbesimi në atë që është “made in Albania”./e.t