Last Updated on 08/07/2025 by adminfjala
Nga 9 deri më 13 korrik, palestra “1 Tetori” në Prishtinë do të jetë qendra e sporteve elektronike në Evropë, teksa mikpret edicionin e radhës të Kampionatit Evropian të Esports. Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha të këtij lloji në kontinent, ku do të marrin pjesë 36 ekipe nga 25 shtete, të cilat do të garojnë në tri disiplina: CS2, CS2 Women dhe Dota 2.
Kosova jo vetëm që është mikpritëse e këtij eventi prestigjioz, por gjithashtu do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar në të tri kategoritë.
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, e cilësoi organizimin e kampionatit si një dëshmi të përkushtimit për të rinjtë dhe një mundësi për ta paraqitur Kosovën si një qendër të inovacionit dhe sporteve elektronike.
“Për Kosovën kampionati është shumë më shumë se një garë sportive, është dëshmi konkrete e vizionit tonë për ta bërë Kosovën qendër të inovacionit dhe sportit… Këtë organizim e kemi mbështetur së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ku, përmes ngjarjeve si kjo, po investojmë në prezantimin e kapaciteteve të të rinjve tanë në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht po i hapim dyert e shtetit tonë për të rinjtë nga Evropa dhe po iu japim mundësinë që të vijnë e ta shohin një Kosovë dinamike dhe inovative,” deklaroi Osmani.
Ajo konfirmoi gjithashtu se Serbia është tërhequr nga gara në momentet e fundit, pavarësisht se Kosova kishte garantuar kushte të barabarta dhe të sigurta për të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
“Nga 25 shtete të konfirmuara paraprakisht për pjesëmarrje në këtë kampionat, sot realisht i kemi vetëm 24 shtete për shkak të tërheqjes së reprezentacionit të Serbisë nga pjesëmarrja në kampionat në momentet e fundit… Republika e Kosovës ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjitha shtetet dhe për të gjithë sportistët. Nga perspektiva e sportistit është për të ardhur keq që institucionet shtetërore të Serbisë nuk i lejojnë sportistët e tyre të vijnë dhe të marrin pjesë në garën më të madhe të Esports. Edhe pse vet sportistët kanë qenë të gatshëm të vijnë e të garojnë, janë pikërisht vet institucionet e tyre ato që i penguan. Pra ky nuk ka qenë vendim sportiv, është e kundërta, ka qenë vendim tipik politik i politikave shtetërore të Serbisë,” shtoi Osmani.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esports (IESF), Boban Totovski, tha se vendimi i Serbisë për të mos marrë pjesë është një çështje e brendshme.
“Shoqata e Sportit e Serbisë ka vendosur të tërheqë atletët e regjistruar dhe të kualifikuar dhe të mos marrin pjesë në këtë event, për arsye të brendshme që ata nuk i bënë publike. Ne sigurisht nuk mund t’i kërkojmë me forcë askujt të marrë pjesë. Po mundohemi të ndajmë esportin nga politika, por për fat të keq në kohën që jetojmë, jo vetëm luftërat, por edhe konfliktet politike që po ndodhin, e bëjnë gjithnjë e më të vështirë këtë ndarje në evente specifike,” deklaroi Totovski.
Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. m.p.