Last Updated on 08/07/2025 by adminfjala
Po, shpenzimet për mbrojtjen duhet të rriten – por shkatërrimi i shtetit social për t’i financuar do të ishte një gabim i madh
Shahin Vallée dhe Joseph de Weck
Qeveritë evropiane janë sërish të përndjekura nga një zgjedhje e vështirë: të financojnë ushtrinë apo të mbështesin programet sociale. Të paktën ky është rrëfimi që ka marrë hov që nga tërheqja e Donald Trump nga rendi global i sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe presioni urgjent për rarmatosjen e Evropës.
Por të paraqesësh dilemën e Evropës në këtë mënyrë është një gabim i madh. Historia na mëson se zgjedhja politike nuk ka qenë kurrë mes armëve dhe mirëqenies, por mes armëve dhe taksave.
Rënia e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990 duket se i dha fund gati një shekulli konfliktesh ideologjike globale, dhe supozohej gjithashtu se do të na bënte më të pasur. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, evropianët nuk do të kishin më nevojë për një aparat të shtrenjtë ushtarak për mbrojtjen territoriale. Qeveritë hoqën dorë nga rekrutimi i detyruar dhe ulën ndjeshëm shpenzimet për mbrojtje. Duke përfituar nga ajo që u quajt “dividendi i paqes”, ato u përqendruan në investime joushtarake dhe në përparësi të brendshme
Samiti i fundit i NATO-s në Hagë tregoi se kjo prirje është përmbysur në mënyrë dramatike. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe angazhimi i pasigurt i Trump ndaj NATO-s e bëjnë të pashmangshëm për vendet evropiane rritjen e investimeve për mbrojtje të përbashkët. Siç tha Kristalina Georgieva, drejtoresha e FMN-së: “Dividendi i paqes ka marrë fund.” Anëtarët evropianë të NATO-s u zotuan të rrisin shpenzimet për mbrojtje të fortë – si tanke dhe paga ushtarake – nga 2% në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Pyetja tani është: si do të financohet kjo? Disa ekspertë pretendojnë se mënyra e vetme për të ndërtuar një shtet të fortë ushtarak që mund të frikësojë Rusinë është të shkurtohen shpenzimet sociale. Sipas këtij argumenti të gabuar, qeveritë në vitet 1990 përdorën kursimet nga mbrojtja për të bërë premtime të kushtueshme për mirëqenien.
Madje para marrëveshjes së NATO-s në Hagë, publiku ishte përgatitur për realitetin e ri. Në një fjalim televiziv në mars, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi qytetarët se, në një botë më “të egër”, do të duheshin sakrifica buxhetore. Macron përjashtoi rritjen e taksave. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen vendosi të anulojë një ditë pushimi për të financuar shpenzimet për mbrojtjen. Britania e Madhe ka prerë brutalisht buxhetin e ndihmës ndërkombëtare për të njëjtin qëllim.
Por Evropa do të nxirrte mësimet krejtësisht të gabuara nga historia nëse do të dobësonte shtetin social për të fuqizuar atë ushtarak.
Ka një rrugë tjetër: në vend që të shkurtojnë shpenzimet sociale, qeveritë evropiane duhet të rrisin taksat ndaj korporatave dhe kapitalit për të financuar mbrojtjen.
Çfarë ndodhi realisht në vitet ’90?
Ndërsa shkurtimi i mbrojtjes lehtësoi rritjen e shpenzimeve sociale, në realitet ai u përdor më shumë për të ulur taksat dhe deficitet, sipas konsensusit neoliberal të kohës, që e ktheu konkurrencën fiskale në normë.
Po, “dividendi i paqes” ndihmoi në financimin e rritjeve në shpenzimet sociale, por me shoqëri që po plaken, shumica e fondeve shkoi për pensione, shëndetësi dhe kujdes afatgjatë. Ndërkohë, mbrojtja sociale për popullsinë në moshë pune ka rënë në të gjithë Evropën pas Luftës së Ftohtë.
Ndërmjet viteve 1985 dhe 2023, normat e taksave mbi fitimet e korporatave ranë përgjysmë në vendet e OECD-së. Edhe taksat mbi fitimet nga kapitali ranë ndjeshëm: nga 53% në fillim të viteve ’90 në 26% sot në Gjermani, dhe nga 30% në 24% në Mbretërinë e Bashkuar. Dividendi i paqes, në fakt, përfitoi më së shumti të pasurit.
Kursimet nga mbrojtja shkuan jo vetëm përmes uljes së taksave drejt sektorit privat, por edhe përmes reduktimit të deficitit buxhetor. Në Gjermani, vendosja e “frenës së borxhit” në Kushtetutë më 2009 u bë e mundur vetëm sepse shpenzimet për mbrojtjen u rrënuan.
Po si duhet vepruar tani?
Në vitet që vijnë, Evropa nuk mund ta përballojë politikisht vendosjen e barrës së mbrojtjes mbi grupet më të pafavorizuara.
Borxhi publik, si ai që ka ndërmarrë së fundmi Gjermania, do të jetë i domosdoshëm. Por borxhi është shpesh një formë regresive e taksimit, pasi të pasurit janë ata që zotërojnë pjesën më të madhe të tij. Dhe nëse vendet e BE-së nuk bien dakord për emetime të përbashkëta borxhi për të financuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen (siç ndodhi gjatë pandemisë), tregjet financiare mund të mos i lejojnë vendeve të mbingarkuara me borxh si Italia apo Franca të rrisin deficitet për mbrojtjen.
Normaliteti i ri i shpenzimeve të larta për mbrojtjen duhet të financohet përmes rritjes së taksave, veçanërisht mbi fitimet korporative, pasurinë e madhe dhe fitimet nga kapitali. Por kjo nuk do të jetë e mundur pa kufizuar konkurrencën tatimore në nivel evropian.
Në fakt, ideja që disa “parajsa fiskale” evropiane vazhdojnë të tërheqin të ardhurat nga taksat e korporatave ndërsa përfitojnë falas nga mbrojtja e përbashkët do të jetë gjithnjë e më e vështirë për t’u justifikuar. Franca dhe Gjermania kanë kohë që shtyjnë për harmonizimin e taksave të korporatave në BE. Tani është koha që BE-ja të frenojë shtetet që “hedhin taksat poshtë”, si Irlanda neutrale. Evropa nuk mund të arrijë një mbrojtje më të mirë pa të ardhura më të mira nga taksat.
Dhe vetëm një forcim i mbrojtjes që mbështetet gjerësisht nga opinioni publik në të gjithë Evropën mund të shkojë përtej momentit afatshkurtër dhe të kthehet në një parandalim real afatgjatë.
Përvoja e “keynesianizmit ushtarak” nëpër histori nuk ka qenë kurrë për “arma ose bukë”, por gjithmonë për “armë dhe bukë”. Në kohë lufte nuk mjaftojnë vetëm armët – nevojitet edhe një popullatë që i mbështet dhe i përdor ato. Mbajtja e paqes në frontin e brendshëm është po aq e rëndësishme sa ruajtja e vijës në llogore.
Në vend që të shkatërrojnë shtetin social për të ndërtuar atë ushtarak, udhëheqësit evropianë duhet të modernizojnë dhe forcojnë shpenzimet sociale. Vetëm shpresa për një botë më të drejtë dhe më të mirë mund të mbajë të bashkuara shoqëritë tona dhe t’i bëjë të afta për të përballuar sfidat.
*Shahin Vallée është studiues i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.
Joseph de Weck është anëtar i Institutit për Kërkime të Politikës së Jashtme.
Përgatiti për botim: L.Veizi