Vijon “telenovela” Calhanoglu, Mourinho kërkon ti prishë planet Interit

Dukej gjithçka e mbyllur, Interi i kishte thënë “jo” Galatasarayt dhe Hakan Calhanoglu dukej i destinuar për t’u kthyer në grumbullimin e zikaltërve, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Por në mediat turke, sot ka dalë lajmi që nis gjithçka nga e para.

Mediat kryesore në vend bëjnë të ditur se tani është Jose Mourinho ai që ka piketuar mesfushorin dhe e kërkon ta ketë pjesë në klubin e Fenerbahçes, në projektin që ka për objektiv titullin kampion në Turqi. Bëhet e ditur se ka patur edhe një bisedë mes drejtuesve të klubit, vetë lojtarit dhe menaxherit të tij, për të diskutuar paraprakisht rreth këtij transferimi.

Gjithsesi, nuk është zhvilluar ende asnjë bisedë me Interin, që jo më larg se natën e të premtes kishte bërë të qartë nëpërmjet Piero Ausilios se Calhanoglu do të vazhdonte të ishte pjesë e projektit zikaltër. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vijim, por duket se me këtë lëvizje të Mourinho, telenovela për të ardhmen e mesfushorit turk do të nisë nga e para./ D.C

None