Last Updated on 23/07/2025 by adminfjala
Pas atentatit të 28 qershorit 1914 në Sarajevë, ku u vra arkiduka Franz Ferdinand – trashëgimtari i fronit austro-hungarez – dhe bashkëshortja e tij, Austro-Hungaria nisi një ofensivë diplomatike e ushtarake për të ndëshkuar Serbinë, të cilën e konsideronte përgjegjëse për aktin. Pas tre javësh përgatitjesh dhe konsultimesh me aleatin e saj Gjermaninë, më 23 korrik 1914, Vjena i dorëzoi Beogradit një ultimatum me 10 pika, ku kërkonte, ndër të tjera:
Ndalimin e propagandës anti-austro-hungareze.
Shuarjen e organizatave nacionaliste serbe që promovonin urrejtje ndaj perandorisë.
Përjashtimin nga shërbimi shtetëror të gjithë zyrtarëve të përfshirë në propagandë kundër Austro-Hungarisë.
Dhe më e rëndësishmja: lejimin e përfaqësuesve austro-hungarezë për të marrë pjesë në hetimet dhe ndjekjet penale kundër personave të përfshirë në atentat.
Ky ishte një precedent i paprecedent në politikën ndërkombëtare: një vend kërkonte të merrte pjesë në punët e brendshme gjyqësore të një shteti tjetër sovran. Serbia, nën presion dhe pa aleatë të gatshëm për luftë të menjëhershme, i pranoi shumicën e kërkesave, por refuzoi me kujdes pikën që cenonte sovranitetin e saj: pjesëmarrjen e autoriteteve austro-hungareze në hetime brenda territorit serb.
Refuzimi, edhe pse i moderuar dhe i argumentuar, u përdor nga Vjena si justifikim për të shpallur luftë më 28 korrik 1914, vetëm pesë ditë më vonë. Kjo shpallje lufte do të shkaktonte një reaksion zinxhir të aleancave ndërkombëtare, që brenda pak ditësh do të përfshinte shumicën e fuqive të mëdha në një konflikt global: Lufta e Parë Botërore.
Ultimatumi austro-hungarez ndaj Serbisë mbetet një prej shembujve më të njohur të diplomacisë së agresionit në histori, dhe një pikë kthese që do të sillte një prej katastrofave më të mëdha të shekullit XX.
Përgatiti: L.Veizi