Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Yair Wallach
Gestet simbolike dhe deklaratat boshe nuk mjaftojnë më. Në një ekonomi të globalizuar si ajo e Izraelit, vetëm presioni real do të ndryshojë opinionin publik.
Pas muajsh bllokade të plotë ose furnizimesh jashtëzakonisht të kufizuara, dhe me mijëra fëmijë të uritur në Gaza në rrezik për jetën, Izraeli më në fund u tërhoq javën e kaluar duke lejuar një nivel më të lartë ndihmash, si dhe hyrjen e energjisë elektrike dhe ujit në territor. Megjithatë, duke pasur parasysh shkatërrimin sistematik të infrastrukturës shëndetësore në Gaza nga ana e Izraelit, kjo ndihmë nuk do të mjaftojë për të parandaluar dëmet e pakthyeshme për shumë fëmijë të rëndë të kequshqyer. Edhe në skenarin më të mirë, kjo është vetëm një pauzë e përkohshme.
Prej muajsh tashmë, qeveria ekstremiste e djathtë e Izraelit ka qenë e qartë në fjalët dhe veprimet e saj. Ajo e ka bërë Gazën të pabanueshme përmes shkatërrimit të ndërtesave dhe infrastrukturës. Plani, i përsëritur publikisht nga Benjamin Netanyahu dhe ministrat e tij, është spastrimi etnik (“emigrimi vullnetar”) i pjesës më të madhe të popullsisë së Gazës. Tani është bërë e qartë se qeveria izraelite është e gatshme ta ngadalësojë përkohësisht këtë fushatë, por nuk do ta ndalojë nëse nuk detyrohet prej presionit ndërkombëtar – presion që deri më tani ka qenë thellësisht i pamjaftueshëm.
Britania e Madhe e ka ashpërsuar retorikën, duke përdorur fjalë si “e tmerruar” dhe “e tronditur”. Ka kufizuar gjithashtu dërgesat e armëve drejt Izraelit dhe ka vendosur sanksione ndaj ministrave Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir. Por sigurisht që një vend i G7, ekonomia e gjashtë më e madhe në botë dhe aleate e afërt e Izraelit, mund të bëjë më shumë. Emily Thornberry thotë: “Netanyahu dëgjon vetëm Trump-in, dhe edhe atëherë jo gjithmonë”, duke nënkuptuar se s’mund të bëhet gjë tjetër veçse të lutemi te presidenti amerikan.
Ky është një keqkuptim i thellë i realitetit izraelit dhe një nënvlerësim i mundësive të Britanisë. Në të vërtetë, Netanyahu dhe ministrat e tij nuk do ta dëgjojnë Britaninë – por Netanyahu nuk është një diktator i gjithfuqishëm si Vladimir Putin, dhe Izraeli nuk është Koreja e Veriut. Ekonomia izraelite është thellësisht e globalizuar dhe shoqëria e tij i çmon lidhjet me botën. Ka investime të mëdha materiale dhe emocionale në ato marrëdhënie – përfshirë edhe me Britaninë. Nga sistemi bankar te bashkëpunimi në mbrojtje, nga tregtia te turizmi dhe akademia – Britania është e lidhur me Izraelin në shumë mënyra. Duke lejuar që këto marrëdhënie të vazhdojnë sikur të mos ketë ndodhur gjë, partnerët ndërkombëtarë i lejojnë qeverisë izraelite të vazhdojë me fushatën gjenocidale pa asnjë pasojë reale, përveç deklaratave formale dhe gjesteve simbolike.
Pas 7 tetorit 2023, tmerri i masakrës së Hamasit shtyu qeveritë perëndimore të mbështesin Izraelin ndërsa ky filloi hakmarrjen ndaj Gazës – praktikisht duke i dhënë qeverisë ekstremiste një “çek të bardhë”. Pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për Netanyahu-n për krime të urisë, sanksionet ndërkombëtare ndaj Izraelit mbeten shumë të kufizuara. Qeveria izraelite po llogarit pikërisht me këtë. Një anëtar i koalicionit qeverisës u shpreh kohët e fundit:
“Ne mund të vrasim 100 palestinezë çdo natë në Gaza dhe askujt në botë nuk i intereson.”
Fatkeqësisht, deri tani nuk është vërtetuar i gabuar.
Në 21 muajt e fundit, dhjetëra mijëra izraelitë kanë dalë në rrugë për të kërkuar një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Edhe pse sondazhet tregojnë mbështetje të madhe për përfundimin e luftës, opozita e përçarë dhe e demoralizuar nuk ka arritur të rrëzojë qeverinë. Një arsye për këtë është se, megjithë thirrjet nga familjet e pengjeve dhe aktivistët, aktorët kyç ekonomikë të Izraelit – në sektorin financiar, IT dhe sindikatat – janë treguar të rezervuar në qëndrime publike, edhe pse shumë prej tyre janë thellësisht kundër qeverisë.
Kjo hezitim vjen pjesërisht sepse ekonomia izraelite ka qenë befasisht e qëndrueshme. Është e vërtetë që kredibiliteti financiar u ul dhe deficiti buxhetor u rrit ndjeshëm. Por që nga korriku 2024, bursa e Tel Avivit është rritur me gati 30%. Rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 4.6%, dhe papunësia është shumë e ulët. Lufta madje ka përfituar disa sektorë kryesorë – eksportet izraelite të armëve janë në lulëzim, dhe Britania është një nga destinacionet kryesore të këtyre eksporteve. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, ndërmjet viteve 2020–2024, Izraeli ishte furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Britaninë.
Në Britani dhe në Evropë, po rritet mobilizimi i izraelitëve kundër gjenocidit, duke kërkuar sanksione. Në dhjetor 2024, më shumë se 500 izraelitë që jetojnë në Britani i kërkuan qeverisë britanike të sanksionojë Ben Gvir dhe Smotrich. Kohët e fundit, një grup i ri izraelitësh në Britani, Mi-Neged – në të cilin jam i përfshirë – i ka bërë thirrje Keir Starmer dhe David Lammy të vendosin sanksione të thella ndaj Izraelit, jo vetëm ndaj ndonjë “molle të kalbur”, por në mënyrë sistematike. Masa të tilla do të përfshinin pezullimin e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Partneritetit (TPA) dhe ndalimin e bashkëpunimit ushtarak.
Për shumë prej nesh, ky është një moment thellësisht i dhimbshëm. T’i bësh thirrje qeverisë tënde të vendosë sanksione ndaj shtetit ku je rritur, me të cilin je i lidhur emocionalisht, ku jetojnë familjarët dhe miqtë e tu – nuk është një hap i lehtë. Por ne jemi të tmerruar jo vetëm nga ajo që ka ndodhur, por edhe nga ajo që do të ndodhë nëse nuk veprojmë tani.
Britania mund ta pezullojë aksesin preferencial të Izraelit në tregti, duke i hapur rrugë edhe BE-së për të ndjekur të njëjtin drejtim. Si bllok tregtar, BE-ja është destinacioni më i madh i eksporteve izraelite – afro një e treta e tyre. Propozimet për të pezulluar disa nene të Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin janë tashmë në diskutim.
Për momentin, në Izrael ekziston një klasë e mesme dhe e sipërme e ndjeshme ndaj presionit të jashtëm. Kjo shtresë ka fuqinë dhe ndikimin për ta kthyer këtë presion në veprim politik. Shoqëria civile izraelite është ende në gjendje të mobilizohet dhe të sfidojë qeverinë. Por goditjet e Netanyahu-t ndaj protestuesve dhe mediave po ashpërsohen: kapja e pushtetit nga qeveria po përshpejtohet dhe zgjerohet. Ka frikë reale se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të jenë të lira apo të ndershme. Sa më pak demokratik dhe më mesianik të bëhet Izraeli, aq më pak efektive do të jenë sanksionet. Koha për të vepruar është tani.
*Yair Wallach është ligjërues i studimeve izraelite dhe drejtues i Qendrës për Studime Hebraike në Universitetin SOAS, Londër. – Përgatiti për botim: LV