Last Updated on 06/11/2026 by EL
Pesë persona, mes tyre dy fëmijë, janë shpëtuar pranë brigjeve të Kiribatit, pasi kishin kaluar tre muaj duke lundruar pa drejtim në Oqeanin Paqësor, rreth 5 400 kilometra larg vendit nga ku ishin nisur.
Grupi u pikas të dielën nga banorët e ishullit Fanning, raportoi transmetuesi australian ABC. Ata ishin nisur më 30 korrik me një varkë të vogël, rreth 6 metra të gjatë, së bashku me katër persona të tjerë, me synimin për të udhëtuar mes ishujve Murilo dhe Ruo në Mikronezi. Por gjatë lundrimit u përballën me një stuhi të fortë dhe humbën drejtimin.
Pas zhdukjes së tyre, Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara (USCG) ndërmori një operacion kërkimi 10-ditor, duke kontrolluar një sipërfaqe prej më shumë se 85 mijë kilometrash katrorë, por pa arritur të gjente asnjë gjurmë të varkës. “Është një lajm i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm që këta pesë persona janë gjetur dhe po marrin kujdesin e nevojshëm”, deklaroi Roja Bregdetare amerikane për agjencinë AP pas shpëtimit të tyre.
Ajo shprehu gjithashtu ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e personave që nuk arritën të mbijetonin.
Sipas ligjvënësit lokal Kaotitaake Rakoroa, pesë të mbijetuarit kanë marrë ndihmë mjekësore dhe aktualisht po qëndrojnë nën kujdesin e një pastori në ishullin Fanning.
Ndërkohë, guvernatori i shtetit Chuuk të Mikronezisë, Alexander Narruhn, bëri të ditur se ka nisur bisedimet me qeverinë e Kiribatit për organizimin e kthimit të të mbijetuarve në vendlindje. “Në varkën që u zhduk ndodheshin nëntë persona. Falë Zotit për dashurinë dhe mëshirën e tij, pesë prej tyre janë gjetur”, deklaroi Narruhn.
