Last Updated on 06/11/2026 by EL
Prindërit e një vajze 13-vjeçare kanë ngritur një padi kundër Google, duke pretenduar se e bija përdori teknologjinë e inteligjencës artificiale të kompanisë për të planifikuar vetëvrasjen dhe ceremoninë e saj mortore. Rasti rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e fëmijëve në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Padia u depozitua të hënën, më 2 nëntor, në një gjykatë në Kaliforni të SHBA-së. Sipas pretendimeve të familjes, vajza, e identifikuar me emrin Emma, përdori funksionet e kërkimit me inteligjencë artificiale të Google në një kompjuter Chromebook, të vënë në dispozicion nga shkolla. Çështja konsiderohet si padia e parë që akuzon Google për neglizhencë lidhur me funksionet e kërkimit të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, të përdorura përmes pajisjeve shkollore.
Emma nuk kishte mundësi të përdorte aplikacionet Gemini të Google apo ChatGPT të OpenAI, pasi shkolla i kishte bllokuar të dyja platformat. Megjithatë, ajo mund të përdorte motorin e kërkimit Google, i cili përfshin edhe funksione të inteligjencës artificiale. Sipas padisë, vajza nuk kishte pasur më parë probleme të shëndetit mendor, por brenda pak muajsh nga përdorimi i motorit të kërkimit nisi të përjetonte një përkeqësim të rëndë psikologjik.
Më 17 mars, shkolla njoftoi prindërit pasi sistemi i monitorimit identifikoi një dokument me titullin “Funeral”. Më vonë, nëna e saj e gjeti vajzën duke shkruar një letër lamtumire, ndërsa babai ndërhyri për ta ndihmuar. “Shkollat duhet ta çaktivizojnë kërkimin dhe ta mbajnë të çaktivizuar derisa Google të heqë funksionin AI Mode nga motori i kërkimit ose të garantojë që çdo nxënës të jetë plotësisht i sigurt gjatë ndërveprimit me inteligjencën artificiale”, deklaroi për AFP të enjten, më 5 nëntor, Andrew Liddell, një nga avokatët e familjes.
Gjigantët e teknologjisë përballë betejave ligjore
Google deklaroi se funksioni AI Mode përfshin mekanizma mbrojtës kundër vetëdëmtimit dhe përpjekjeve për të anashkaluar këto kufizime. “Po shqyrtojmë pretendimet e ngritura në padi dhe e marrim këtë çështje shumë seriozisht”, deklaroi për AFP zëdhënësi i kompanisë, Jose Castaneda.
Edhe OpenAI po përballet me disa padi për përgjegjësi në raste vdekjesh të padrejta. Mes tyre është edhe padia e prindërve të 16-vjeçarit Adam Raine, i cili humbi jetën nga vetëvrasja pasi, sipas pretendimeve të familjes, kishte marrë këshilla të dëmshme nga ChatGPT.
Në janar, Google dhe Character.AI ranë dakord të zgjidhnin jashtë gjykatës disa padi të ngritura nga familjarët e adoleshentëve. Ndërkohë, në një tjetër përballje ligjore, Google, TikTok dhe Meta ngritën të mërkurën padi kundër shtetit të Kalifornisë, me synimin për të bllokuar një ligj që ndalon funksionet e rrjeteve sociale të krijuara për të nxitur përdorimin e vazhdueshëm nga personat nën 16 vjeç.
Ligji, i firmosur në shtator nga guvernatori Gavin Newsom, pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
