Në Portugali, situata mbetet kritike. Mbi 2 mijë zjarrfikës janë angazhuar në terren për të luftuar zjarret në mbarë vendin. Zjarri në zonën Ponte da Barca nuk është vënë ende nën kontroll, ndërsa dhjetëra banorë janë evakuuar si masë sigurie. Sipas kreut të bashkisë, Augusto Marinho, të paktën 19 persona janë lënduar, dhe operacionet e shuarjes vazhdojnë me intensitet për shkak të kushteve të vështira.
Ndërsa temperaturat përvëluese po mbërthejnë disa rajone të Evropës, vendet që preken nga Deti Mesdhe po përballen me një valë intensive zjarresh që kanë përfshirë pyjet.
Instituti Portugez i Deteve dhe Atmosferës ka parashikuar një valë të nxehti që do të zgjasë deri më 6 gusht, me temperatura që variojnë nga 36°C deri në 44°C, duke rritur më tej rrezikun e zjarreve.
Në Spanjë, autoritetet njoftojnë se zjarri në Las Hurdes është vënë nën kontroll, megjithatë ekipet mbeten në gatishmëri për të shmangur rindezjen në disa zona.
Në Bullgari, gjatë 24 orëve të fundit, ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë në 60 vatra zjarri, kryesisht të përmasave të vogla.
Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret Pyjore dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve këtë vit. Deri më tani, në kontinent janë regjistruar 1.339 zjarre, krahasuar me 900 zjarre në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Si pasojë, janë djegur rreth 292 mijë hektarë tokë, një shifër që ka dyfishuar sipërfaqen e djegur krahasuar me një vit më parë.
Sipas Hartës së Rrezikut nga Zjarret të përgatitur nga Indeksi i Kushteve të Motit për Zjarret (FËI), për periudhën 28 korrik-4 gusht, disa vende si Portugalia, Spanja, Italia e jugut, Greqia, Ballkani, Bullgaria, Rumania dhe Turqia paraqiten në nivele rreziku “shumë ekstrem”, “ekstrem” ose “shumë i lartë”.
Ndërsa parashikohet një ulje graduale e rrezikut në disa zona të Ballkanit dhe Italisë, pritet një rritje e ndjeshme e rrezikut të zjarreve në lindje të Finlandës, jug të Francës, si dhe në pjesë të Portugalisë dhe Spanjës.
Ekspertët paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave dhe mungesën e reshjeve, rreziku i përhapjes së zjarreve mbetet i pranishëm dhe kërkon mobilizim maksimal nga autoritetet dhe qytetarët./kb